E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Vrasja e Kekës, politike. Topalli përgjegjëse

PDK akuzon Jozefina Topallin për nxitjen, sipas tyre, të terrorit politik nëpërmjet akuzave dhe shpifjeve ndaj kësaj partie


TIRANË- Për demokristianët, vrasja e kryetarit të PDK-së, në Malësinë e Madhe, Aleks Keka, është politike. Përmes një qëndrimi zyrtar të formuluar, që dje në mesdite, Partia Demokristiane e ka cilësuar ngjarjen, një tronditje të rëndë për këtë parti, lirinë dhe sistemin demokratik në vend.


"Aleks Keka gëzonte respekt në të gjithë Malësinë e Madhe dhe nuk kishte konflikt personal. Partia Demokristiane deklaron e bindur se vrasja e Aleks Kekës nëpërmjet atentatit tragjik është vrasje politike.


Për shkak të funksionit të tij politik, i ndjeri Aleks Keka është kërcënuar nga telefonata të ndryshme që bëheshin nga numra telefoni me prefiks të huaj, siç janë kërcënuar edhe kandidatë të tjerë të Partisë Demokristiane në Qarkun e Shkodrës", - thuhet në njoftimin e PDK-së.


Zyrtarët e lartë të kësaj partie, përmes qëndrimit zyrtar, kanë akuzuar Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për nxitjen, sipas tyre, të terrorit politik nëpërmjet akuzave dhe shpifjeve kundër përfaqësuesve të Partisë Demokristiane.


"Zonja Topalli është përgjegjëse për shkatërrimin e procesit elektoral në qarkun e Shkodrës, është përgjegjëse për nxitjen e terrorit politik, që solli pasoja tragjike, me vrasjen politike të kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Keka.


Partia Demokristiane, kërkon nga organet e Sigurisë Kombëtare, policia, prokuroria dhe shërbimi inteligjent, të zbardhin menjëherë ngjarjen dhe të venë para përgjegjësisë ligjore, shkaktaret e kësaj vrasjeje të rëndë politike.


Partia Demokristiane nuk do të njohë asnjë fitues me gjak dhe do të investojë të gjitha energjitë dhe potencialet e saj politike e njerëzore për mbrojtjen e jetës, të vlerave të lirisë dhe të demokracisë",- thuhet në njoftimin për shtyp të PDK-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›