E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Policia të zbardhë vrasjen

Reagon PS: Në zgjedhje duhet vendosur me votë e jo më dhunë


TIRANË- Partia Socialiste e ka cilësuar shokuese ngjarjen e rënë të ndodhur dje në Shkodër, ku u vra kryetari i PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Keka.
"Partia Socialiste po ndjek me vëmendje ngjarjen shokuese të ndodhur sot në mëngjes në Shkodër.


Ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, miqve dhe kolegëve demokristianë. Ngjarja e sotme përgjak sërish fushatën zgjedhore të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit",- tha dje zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli.


Në emër të PS-së, ajo i ka bërë thirrje policisë së shtetit që të punojë pa u bërë palë me askënd dhe pa u nxituar në përfundime të parakohshme dhe joprofesionale. Për këtë arsye, ajo i ka kërkuar forcave të policisë, që të zbardhë një orë e më parë rrethanat e kësaj vrasjeje dhe të çojë përpara drejtësisë autorët e saj.


"Partia Socialiste i bën thirrje shqiptarëve t'i shmangen dhunës dhe të bëhen pjesë e një debati politik qytetar. Në këto zgjedhje kaq të rëndësishme për të ardhmen tonë, duhet vendosur me votë dhe jo me dhunë", tha Kodheli.

---------------------------------------------------------------------------------------------

Reagon PD: PS e PDK të mos manipulojnë me ngjarjen

PD: Rasti i Kekës, si i Kosta Trebickës


TIRANË- Ndryshe nga qëndrimi i forcave politike në vend për ngjarjen e ndodhur, Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, e ka cilësuar vdekjen e Kekës si të ngjashëm me vrasjen e Kosta Trebickës.


"Duke shprehur keqardhjen për jetën e humbur, PD denoncon përpjekjen e Edi Ramës dhe Nard Ndokës për të manipuluar rastin e vdekjes së të ndjerit, duke nxjerrë si satelitë njëri pas tjetrit zëdhënësit e tyre.


Ne kërkojmë nga organet kompetente të zbardhen të gjitha rrethanat e humbjes së jetës së qytetarit Aleks Keka por gjithashtu denoncojmë manipulimin politik dhe paragjykimin aq të ngjashëm me rastin Trebicka",- tha dje zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.


Ky ka qenë reagimi i vetëm zyrtar nga PD, ndërkohë që Kryeministri Sali Berisha nuk e ka përmendur ngjarjen në fjalë në asnjë prej aktiviteteve të tij, kur media ka tentuar ta pyesë, madje as në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku si rrallë herë, Berisha foli shumë pak para medieve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›