E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donika Kadaj: Ilir Mirena ofendoi gratë

Nga Express më 23 qershor 2011 në ora 12:48

Donika Kada-Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Teuta Sahatqija nga Lidhja Demokratike e Kosovës reaguan të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke iu referuar një shkrimi që është shkruar nga zëvendësministri i Ambientit, Ilir Mirena duke e quajtur atë shkrim fyes për gratë.

Deputetja Kada-Bujupi duke iu referuar disa citateve në shkrim dhe vlerësimeve si biondina politike, tha se një fyerje e tillë është e papranueshme për gratë kosovare.
Duke cituar fjalinë e shkrimit “aktivistja kishte transformuar gojën e saj në auspuh nga ku villej energji kontaminuese për mendjet e shëndosha”, Kada-Bujupi tha se zyrtari i qeverisë së Kosovës duhet të tregojë a është qëndrim i tij personal apo zyrtar pasi thirrja e Qeverisë së Kosovës në vlerat europiane nuk përkon me këtë shkrim.

Reagim të njëjtë, pati edhe deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, e cila po ashtu foli edhe për përfaqësimin e grave në jetën politike.

Ndryshe, në një shkrim me titull “Përpëlitje verore”, Mirena shkruan “Mbidoza e marrëzisë ishte para disa netësh, kur në të gjitha edicionet televizive pashë një biondinë politike, që besova se po shihja Daut Demakun me paruke sipër kokës. Pas prezantimit të një ideje të vjedhur, aktivistja kishte transformuar gojën e saj në auspuh nga ku villej energji kontaminuese për mendjet e shëndosha. Në dy minuta recital të ofendimit dhe mjerimit, nuk mbet kush pa u sharë në këtë vend - prej Presidencës e deri tek roja e fundit e institucioneve të vendit”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›