"Duart e Pastra", përsëri në "Albpetrol"
Operacioni "Duart e Pastra" pritet të pasohet me arrestime të tjera në Qarkun e Fierit. Hetimet e prokurorisë dhe policisë janë përqendruar përsëri në kompaninë e naftës "Albpetrol" dhe pikërisht te disa ndërmarrje që varen prej saj, siç është Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës (KPTHN) në Ballsh, si dhe Uzina e Përpunimit të Naftës (UPN) në Fier.
Burimet zyrtare pranë kreut të Prokurorisë së Fierit, bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se 15 dosje hetimore janë drejt përfundimit dhe do të pasohen me arrestime të reja. Ndryshe nga operacionet e mëparshme, kësaj radhe "Duart e Pastra" do të prangosin drejtues aktualë dhe punonjës së administratës aktuale në sektorët e sipërpërmendur.
"Po hetohet për ish-drejtues të KPTHN Ballsh, të disa ndërmarrjeve të tjera të naftës, si dhe për drejtues të lartë e të nivelit të mesëm që janë aktualisht në punë", tha për "Shqip" një nëpunës i zyrës së informacionit pranë Prokurorisë së Fierit.
Burime nga prokuroria thanë gjithashtu se janë plotësuar disa dosje, ndërsa dhjetëra të tjera janë në përfundim, në ngarkim të zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën. Kështu, sipas një denoncimi të bërë në organin e akuzës nga vetë punonjës të KPTHN, është konstatuar një vjedhje me shuma të mëdha e gazoilit, në depot kryesore të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të naftës. Dëmi i llogaritur, sipas ekspertëve të krimit ekonomiko-financiar si dhe Prokurorisë së Fierit, shkon në rreth 90 milionë lekë të reja. Vjedhja është kryer gjatë verës së këtij viti.
Për gazetën "Shqip", burimet zyrtare të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Fierit saktësuan se sipas hetimeve të kryera deri tani, denoncimi i bërë në organin e akuzës ka rezultuar i saktë. Sasia e gazoilit mungon duke faktuar precedentin e vjedhjes. Sakaq po sipas këtyre burimeve, pas arrestimeve të kryera në Sindikatën e Naftës për abuzime dhe shkelje, priten të tjera pranga ndaj nëpunësve të KPTHN-së në Ballsh dhe UPN-së në Fier, që kanë kryer procedura të paligjshme në shitje hekuri për skrap.
Numri i dosjeve që priten të ekzekutohen shkon në rreth 15 të tilla. Kjo do të thotë që opinioni shumë shpejt do të mësojë dhe emra të të prangosurve nga organi i akuzës Fier, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjeve në shuma të mëdha, në këtë prag të festave të fundvitit. Operacioni "Duart e Pastra" nisi në Tiranë dhe ka afro dy muaj që po qëndron në Qarkun e Fierit, ku u arrestuan 5 tatimorët e Lushnjës, ish-krerët e "Albpetrol"-it, kreu i sindikatës, e që vijon të pasohet me një sërë arrestimesh të tjera tani.