Fier, abuzimet në ndarjen e tokës lënë fshatin pa varreza
Komuna e Levanit mund të rezultojë një "Kashar" i dytë, për sa i përket zaptimit të sipërfaqeve të tokës. Akuza bëhet publike nga kryetari i fshatit Ferras, ku vjedhja e tokës ka zënë jo vetëm pjesë të sipërfaqeve publike, por edhe toka fermerësh. Kryeplaku Faslli Nexhipi tregon disa nga parcelat e tokës së zaptuar në mënyrë të padrejtë nga fermerët e zonës. "Janë hapësira të tëra që janë marrë nëpërmjet abuzimit. Përmendet këtu rasti flagrant, siç është sipërfaqja e varrezave, prej së cilës është marrë rreth 5 dynym tokë, e që sot nuk kemi vend për varreza të reja. Rast tjetër është ai i fushës së futbollit, e cila ka humbur gjurmët e saj nga gardhet e tokave të fshatarëve, si dhe 80 për qind e fermerëve të zonës kanë marrë secili nga 2 ha tokë mbi atë që u lejon ligji 7501. Në Komunën e Levanit është ngritur një komision verifikimi, i cili është përballur me rastet flagrante e që i ka çuar këto raste në prokurori. Falsifikimi qëndron në bazë të verifikimeve tona se është bërë në kadastrën e qarkut nga drejtuesi i mëparshëm", tha kryetari i fshatit Ferras.
Disa nga fermerët që akuzohen se kanë marrë tokë me dokumente false, thonë se tokën që kanë marrë e kanë të mbrojtur me dokumente të dala nga Zyra e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës në Këshillin e Qarkut, por në këtë të fundit, zyrtarisht pohohet se është ndërhyrë arbitrarisht në disa dosje dhe prej tyre kanë fluturuar dokumentet origjinale dhe ekzistojnë vetëm dublikate, të cilat janë të mbushura me falsifikime. Gjithçka është zbardhur pas konflikteve të shfaqura mes fermerëve dhe këtyre të fundit me komunën. Prej Komunës Levan u ngrit një komision verifikues, i cili nxori rastet të shumta të zaptimit të tokës në mënyrë të paligjshme.
Të gjitha rastet e vjedhjes së tokës si dhe favorizimit të kësaj vjedhjeje nga ish-drejtuesit e Kadastrës në qark ndodhen tashmë në Prokurorinë e Fierit, e cila po heton rast pas rasti dhe është gati për të prerë urdhër-arrestet për shkelësit e ligjit dhe përfituesit e shumtë nga këto shkelje, të cilët dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha parash për të përfituar disa dynym tokë më shumë. Zyrtarisht prej Prokurorisë së Rrethit Fier konfirmohet se toka e ndarë në Komunën e Levanit si dhe abuzimi me të është pjesë e hetimit të prokurorisë. Sipas krerëve të këtij institucioni, konfirmohet për "Shqip" se ka pasur denoncime nga fermerë për prekje të kufijve të pronave të tyre. Burime zyrtare të prokurorisë bëjnë me dije se hetimet kanë nxjerrë në dritë disa fakte e prova që vërtetojnë abuzimet e shumta me tokën, ndërkohë që për shkak të këtyre abuzimeve, fshatrat e Levanit nuk kanë më toka publike.
Si shkak i marrjes së tokës nëpërmjet abuzimit më shumë se 2300 banorë të fshatit Ferras nuk kanë vende për varreza. Edhe banorët, edhe drejtuesit e komunës, shprehen se nuk ka vend për varreza dhe sipërfaqja e lënë në dispozicion nga komuna është zënë nga më shumë se 10 familje. Disa përfaqësues të këtyre të fundit shprehen se e kanë tokën pa dokumente, kurse disa të tjerë të servirin dosje ku tregojnë se kanë dokumentuar gjithçka të përfituar.