Fier, nisin hetimet per mallra kontrabande
Prokuroria e Fierit ka nisur hetimin në gjendje të lirë për një tregtar që dyshohet për tregtim të mallrave kontrabandë. Burimet zyrtare të policisë thanë dje për gazetën "Shqip" se ka nisur procedimi penal për 50-vjeçarin Adem Paja, i cili dyshohet se ka konsumuar veprën penale të "ruajtjes dhe depozitimit të mallrave kontrabandë". Gjatë një kontrolli të ushtruar në magazinat në pronësi të Pajës, policia ka gjetur një sasi pijesh pa etiketën në gjuhën shqipe dhe pa pullën fiskale. Gjatë kontrollit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi birre, një sasi pijesh energjike si dhe dokumentet e veprimeve financiare të këtij subjekti tregtar. Tregtari i shumicës nuk ka dhënë asnjë shpjegim për policinë, ndërkohë që ka lënë avokatin e tij të merret me çështjen. Aktiviteti i tij tregtar është bllokuar dhe policia zyrtarisht deklaron se është urdhëruar sekuestroja konservative.