PDK-ja kërkon dënimin e përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit
Deputeti i Partisë Demokristiane, Jak Ndokaj, ka kërkuar vënien përpara Drejtësisë të përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit. Gjatë një deklarate për shtyp Ndokaj ka shprehur shqetësimin se një vit pas kësaj tragjedie nuk ka asnjë person të dënuar për ngjarjen në të cilën humbën jetën 26 persona. “Sot, kur po mbushet një vit nga kjo tragjedi, PDK-ja shikon me shqetësim se ende nuk janë venë para Drejtësisë personat përgjegjës që e shkaktuan këtë tragjedi, ndërkohë që janë shtuar spekulimet për përfitime politike nga tragjedia e Gërdecit. Partia Demokristiane shpreh bindjen e saj se ajo që kërkohet sot për të qetësuar shpirtrat e viktimave dhe për të lehtësuar dhimbjet e shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit, është dhënia e drejtësisë nga institucionet tona të zbatimit të ligjit. Tragjedia e Gërdecit është një krim i rëndë dhe PDK-ja kërkon që personat përgjegjës që shkaktuan këtë tragjedi, kushdo qofshin ata, të dënohen me të gjithë ashpërsinë e ligjit.
Zbardhja e ngjarjes dhe dënimi i shkaktarëve të tragjedisë së Gredecit me të gjithë ashpërsinë e ligjit është prova dhe sfida e institucioneve të Drejtësisë shqiptare dhe garancia se institucionet tona të drejtësisë po ecin në rrugën e duhur, se Shqipëria po ecën e sigurt në rrugën e demokracisë dhe të konsolidimit të shtetit ligjor”, - është shprehur Ndokaj. Ai bëri thirrje që si pozita, ashtu dhe opozita, të mos ushtrojnë presion ndaj organeve të Drejtësisë, por të mbështesin pavarësinë e këtyre institucioneve. “PDK dënon me forcë çdo përpjekje, çdo formë të presionit që u bëhet organeve të Drejtësisë për të deformuar të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit dhe për të shmangur nga përgjegjësia ligjore personat përgjegjës, shkaktarë dhe të implikuar me këtë tragjedi. PDK-ja dënon gjithashtu edhe përpjekjet që po bën opozita e majtë për të manipuluar me viktimat e tragjedisë së Gërdecit, për të nxjerrë përfitime politike me kufomat e viktimave.
Drejtësia vendoset në institucionet e Drejtësisë. Faktori politik shqiptar, në pozitë dhe në opozitë, duhet të mbështetë pavarësinë e këtyre institucioneve dhe t’i inkurajojë ato në zbatimin e ligjit”, - është shprehur Ndokaj.
16 Mars 2009