Lista e kandidatëve, Kryesia diskuton të dielën
Partia Socialiste i dha fund dje procesit pesëditor të përthithjes së emrave potencialë për kandidatë në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke nisur që nga data 9 maj, strukturat në rrethe, të konsultuara me anëtarët e Kryesisë së akredituar në çdo qark, kanë diskutuar dhe përzgjedhur një listë personash, duke ia paraqitur kreut të Partisë Socialiste. Ky i fundit, në konsultim me krerët e strukturave të tjera, përzgjedh emrat e mundshëm të cilët i paraqiten Kryesisë për vlerësim dhe miratim. Burime nga selia rozë konfirmuan se ditën e diel do të ketë një mbledhje të Kryesisë së kësaj partie, ku do të miratohet lista përfundimtare që do të paraqesë kreu i PS-së. Të njëjtat burime saktësuan se procesi i përzgjedhjes së emrave që mund të jenë kandidatë për deputetë ka qenë i qetë, por mjaft intensiv sa i përket numrit të emrave që janë paraqitur në çdo qark, numër që është shumë herë më madh se ai i deputetëve që duhet të dalin. Vetëm për Qarkun e Tiranës janë dorëzuar rreth 70 emra, prej të cilëve do të përzgjidhen 32, pasi ky është numri i deputetëve që ka ky qark. Një ditë pas miratimit të listës në Kryesi, më datën 18 maj duhet bërë dorëzimi i emrave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dita e fundit që parashikon ligji. Pas këtij dorëzimi, KQZ ka dy javë afat për të bërë verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve dhe në rast së vërehen mangësi, vihet në dijeni subjekti zgjedhor për të bërë korrigjimin. Ditën e shtunë socialistët do të mbledhin konventën elektorale në të cilën do të kalojnë programin e partisë.