E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PS: Kryeministri Berisha, demagogji me varfërinë

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi në një takim në Rrogozhinë se Kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e tij bënë demagogji dhe treguan padituri në lidhje me atë çka ofron qeveria e tij për familjet në nevojë. Lideri i opozitës anatemoi kështu një prej vendimeve të qeverisë të miratuar dy ditë më parë. Bëhet fjalë për vendimin e dhënies së librave falas për familjet me ndihmë ekonomike. "Dhënia e librave me skemën jofunksionale të rimbursimit, tha Rama, ka bërë që të shtohet analfabetizmi dhe numri i atyre që braktisin shkollën për shkak të pamundësisë për të blerë libra". Sipas tij, është tronditëse që Kryeministri i vendit, në fund të mandatit të tij, nuk e dinte se abetaret dhe librat e shkollës qeveria ua shiste fëmijëve. "Për këtë, fëmijët e varfër të këtij vendi nuk shkonin dot në shkollë, por duke mos e ditur ai akuzonte opozitën se gënjen dhe thoshte me të madhe se librat jepeshin falas. Ja ku doli dhe tha se me një vendim të qeverisë, librat do të jepen falas", nënvizoi kreu i PS-së. Gjatë takimit në Rrogozhinë, lideri socialist nënvizoi se qeverisja e nesërme e pas 28 qershorit do të jetë ashtu si në dy vite dialog, pranë njerëzve, duke marrë vendime në konsultim me grupet e interesit, por edhe me njerëzit në çdo cep të vendit. "Nuk do qeverisim për interesa familjesh të vogla, tha Rama, por për interesin e familjes së madhe shqiptare. Sali Berisha qeveris vetëm për një pakicë njerëzish. Qeveris duke u nisur nga interesat e familjes së tij dhe duke mos parë interesat e familjes së madhe shqiptare, e cila sot gjendet padrejtësisht larg Evropës, ku ne të gjithë duam të bëjmë pjesë", insistoi Rama.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›