E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Berisha po ushtron presion mbi mediat

Bllokimi i "Gazetës Shqiptare" për të mos dalë në treg mëngjesin e djeshëm është komentuar nga politika shqiptare. Drejtuesit e opozitës, Rama, Gjinushi, Dule, Duçkallari, por edhe kryetari i PDK-së, Ndoka, e kanë kritikuar ashpër këtë veprim, duke vënë gishtin mbi Kryeministrin Berisha, i cili, sipas tyre, është përfshirë nga paniku. "Këto janë shenja të panikut të Berishës, i cili për të mbrojtur qeverinë e interesave familjare, po shkel përditë e më shumë në dërrasë të kalbur", u shpreh Rama. Kryetari i PSD-së, Gjinushi, ka akuzuar Berishën duke theksuar se i zënë nga paniku i skandaleve dhe i humbjes bllokon median e pavarur. Sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari, u shpreh se Berisha nuk do të mund t‘i bëjë më ballë "Bashkimit për Ndryshim". Kreu i G99, Veliaj, tha se Berisha nuk mund të mbulojë diellin me shosh, duke mos mundur dot të fshehë lidhjet e familjes së tij me skandalet më të mëdha në vend. LSI, nga ana e saj, ka dënuar këtë veprim të qeverisë duke theksuar se ajo po përpiqet të ushtrojë presion ndaj mediave. Po kështu, vendimi për bllokimin e "Gazetës Shqiptare" është dënuar edhe nga kryetari i PDK-së Ndoka, i cili ka kërkuar që organet kompetente të hetojnë për këtë skandal, duke theksuar se nuk është hera e parë që qeveria dhe Kryeministri ushtrojnë presion mbi mediat. Por pretendimet e politikës dhe të vetë gazetës janë hedhur poshtë nga selia blu, e cila nëpërmjet zëdhënëses së saj, Erla Mëhilli, i ka cilësuar shpifje dhe trillime të gjitha pretendimet për bllokim të gazetës duke i cilësuar si pazare të menaxherëve të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›