E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK reagon ndaj Avokatit të Popullit

Nga Express më 09 janar 2011 në ora 18:28

Dega e PDK’së në Malishevë është ankuar se Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, paraditen e së dielës ka lobuar në Qendrën e Votimit në Drenoc në favor të të afërmit të tij, Ismail Kurteshi, i cili është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje.

“Rreth orës 10:15, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, qëndroi në afërsi të vendvotimit nr. 3008 / A në Drenoc, ku po mbahen votime. Gjatë qëndrimit të tij në një lokal me gjëra ushqimore, që është jo më larg se 50 metra nga Qendra e Votimit, në prani të dhjetëra qytetarëve ka lavdëruar kandidatin e Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi dhe ka lobuar në një mënyrë që ai të votohet nga votuesit e këtij lokaliteti”, thuhet në reagimin e Degës së PDK’së në Malishevë, dërguar KQZ’së, PZAP’it, KKZ’së, qendrës së PDK’së në Prishtinë si dhe mjeteve të informimit publik.

“Kjo mënyrë e lobimit bëhet në kohën e heshtjes zgjedhore që është e paraparë me ligj si dhe nga personi, i cili duhet të ketë rolin e tij unifikues”, përfundon reagimi, duke konstatuar se Dega e PDK’së në Malishevë është e dëmtuar nga njeriu që duhet të ketë rol unifikues, i cili me këtë rast edhe ka bërë shkelje të Ligjit për Zgjedhje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›