PD:“Përshëndesim çdo dialog që respekton rezolutën e KiE-së dhe raportin e ODIHR”

Partia Demokratike ka përshëndetur dje edhe zyrtarisht tryezën e thirrur nga Presidenti i Republikës për ditën e shtunë, mes kryetarit të mazhorancës Sali Berisha dhe kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, në një deklaratë për shtyp ka rinovuar angazhimin e së djathtës për të dhënë gjithë kontributin e saj për mbarëvajtjen e dialogut, në përputhje me rregullat e shtetit ligjor, rezolutën e KiE-së dhe raportin e OSBE/ODIHR-it.“Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, dëshiroj të shpreh vlerësimin pozitiv për thirrjen nga Presidenti i Republikës të tryezës së dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës. Si një ndër protagonistet e kësaj tryezë, Partia Demokratike është e vendosur që të japë të gjithë kontributin e saj, në përputhje me rregullat e shtetit ligjor, rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe raportin e OSBE-ODIHR-t për zgjedhjet e fundit në Shqipëri.Gjithmonë në funksion të këtij qëllimi vullnetmirë, ne i qëndrojmë plotësisht respektimit dhe mbështetjes së plotë të dokumenteve të mësipërme”, deklaroi Patozi.Në emër të PD-së, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së deklaroi se, kjo forcë politike siguron se dialog do te kete me Partine Socialiste dhe me çdo faktor tjetër politik në Shqipëri.“Dëshiroj të theksoj gjithashtu se kjo mazhorancë ka pasur, ka dhe do të vazhdojë të ketë dialog me Partinë Socialiste dhe me çdo faktor tjetër politik të vendit. Dhe në dritën e qartë të këtij përcaktimi ne e shikojmë edhe tryezën e ftuar nga Presidenti i Republikës”. ...