PDR bashkëpunim dhe me LSI-në për zgjedhjet
03/12/2004 PDR-ja deklarohet e gatshme të krijojë aleanca zgjedhore me cilëndo parti që do t'i ofrojë hapësira bashkëpunimi, pa përjashtur këtu as të majtët e LSI-së. Ndërsa krerët e LSI-së e shohin bashkëpunimin të mundshëm vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor. Kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka, tha se "ne jemi të hapur për çdolloj bashkëpunimi me ato parti, të cilat do të na afrojnë hapësira bashkëpunimi dhe do paraqesin në zgjedhje kandidatura potenciale përfaqësimi". Sipas tij, fijet e bashkëpunimit për një aleancë zgjedhore do të jenë kryesisht me partitë e djathta, por nga ky bashkëpunim nuk përjashtohet LSI. "Natyrisht në përzgjedhjen tonë të bashkëpunimit prioritare do të jenë partitë e djathta opozitare, por do të shikohet mundësia për ndonjë bashkëpunim të mundshëm edhe me ndonjë parti të spektrit të majtë, e cila e ka treguar veten se është po aq në opozitë sa dhe partitë e tjera, si për shembull Lëvizja Socialiste për Integrim", përfundoi Ndoka. Në këtë mënyrë reformatorët kanë parë si rrugë zgjidhje me koalicion me partinë e shkëputur nga Nano. Ndërsa disa ditë më parë u hodh kërkesa për një ribashkim të opozitës. Duke parë se PD nuk ka reaguar ndaj ftesës, Ndoka shikon te LSI një aleatë të mundshëm. Por nga koalicioni duket se reformatorët kanë përjashtuar Partinë Socialiste. Ndërkohë kryetari i Grupit parlamenntar të LSI-së, Sabit Brokaj, tha se kjo forcë nuk do të ketë koalicione parazgjedhore me asnjë parti. Por, ai nuk ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit pas zgjedhjeve.