E Diel, 1 Nëntor 2026

Pro dhe kunder metadonit

03/12/2004  Do të trajtohen 100 përdoruesit e parë me metadon, preparat që zëvendëson kërkesën e trupit për drogë

Pro dhe kundër metadonit

Mjekët: Metadoni e ndihmon përdoruesin për lënien e drogës. Feja: kjo është zëvendësim i një droge me një tjetër

Denisa Xhoga

Të shtruarve në spital nga overdoza, ose atyre që duan të lënë drogën, nuk do t’i bëhet vetëm serum dhe t’i jepen disa vitamina, por përpjekjet e tyre do të ndihmohen edhe me metadon. Por ky preparat mezi ka hyrë në Shqipëri, jo vetëm për çmimin e lartë, por dhe se është kundërshtuar nga qarqet kryesisht fetare. Kjo, pasi metadoni është një tjetër drogë, por që nuk krijon varësi fizike dhe psikologjike si heroina, apo kokaina, por zëvendëson kërkesën e tyre në trupin e njeriut. Deri tani mjekët janë pro këtij preparati, ndërsa Qendra Emanuel dhe qarqet e tjera fetare kanë qenë kundër. Kjo, pasi ata mendojnë se njeriu duhet të mbështetet te vetvetja, të bëhet i fortë që të shpëtojë nga droga, ndërsa metadoni është zëvendësim i një droge me një tjetër. “Nuk kam përdorur metadon, por vetëm kam qëndruar gjashtë muaj në Qendrën Emanuel, terapia ime më e mirë ka qenë punimi i tokës në kopësht”, tregon një ish-përdorues, 32 vjeç. Por, edhe mjekët nuk e shohin metadonin si shpëtimin përfundimtar. “Metadoni mund të përdoret vetëm për një periudhë kohe. Por mund të ndodhë përsëri që personi të kthehet te droga, varet sa i fortë është ai, sa e ndan mendjen për ta lënë drogën. Dhe, sidomos është e rëndësishme terapia psikologjike, që duhet të vazhdojë gjatë trajtimit me metadon edhe më pas”, thotë Arjan Boci, lehtësues në Qendrën e Zvogëlimit të Dëmit. Dje u bë promovimi i këtij bari si dhe u paraqit projekti i Aksion +, mbështetur nga SOROS-i. Konkretisht do të nisë një projekt pilot për trajtimin e 100 përdoruesve të parë me metadon, për një periudhë nga 3 muaj deri në 6 muaj. Këta përdorues do të jenë nga Tirana, frekuentues të qendrës Aksion +. Kjo, pasi në kryeqytet janë 80 për qind e përdoruesve. Kriteret e pranimit do të jenë: 1 vit përdorim i heroinës, dështim i mëparshëm i detosksofikimit afatshkurtër, si dhe personat që kanë pasoja shëndetësore nga përdorimi i drogës. Përparësi do të kenë moshat e reja dhe femrat. Por, duke qenë se në Shqipëri nuk ka shumë përdorues “veteranë” dhe një pjesë e tyre do të kenë nevojë për më pak se 6 muaj terapi, mjekët shpresojnë që me këtë sasi metadoni të trajtohen deri 1 mijë përdorues. Fondi vjetor për këtë projekt është 59 mijë dollarë. Ndërkohë jashtë shtetit një recetë metadon është shumë e shtrenjtë, deri 500 euro kura. Ky projekt do të jetë dy-vjeçar. Më pas do të shihet mundësia për ta vazhduar Pushteti Lokal. Doza fillestare e marrjes së metadonit është 20-25 mg në ditë. Megjithatë dozat janë mjaft individuale dhe do të vendosen individualisht për çdo klient në bazë të historisë së tij individuale. Doza mesatare që do të afrohet nga qendra për çdo klient është 80 mg në ditë. Ndërkohë do të bëhen rregullisht analizat e urinës, por jo për të kontrolluar pacientin, por për të monitoruar trajtimin.

Të dhënat INSTAT:

40 000 përdorues droge

30 000 përdorues të rregullt

Në Tiranë mbi 15 000

Mbi 7 000 intravenozë në Tiranë

Me metadon trajtohen në Evropë 300 000 persona

Mjekët, 1 ditë shërbim në fshatra

Ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, firmosi dje urdhrin për shërbimin e mjekëve në zonat ku ata mungojnë dhe dietat e tyre.

Dërgimi me shërbim jashtë rrethit ku banon punonjësi, ose ku ka qendrën e punës bëhet me autorizim të eprorit direkt: Për drejtorët e ministrisë dhe drejtorët e Shëndetit Publik në rrethe nga ministri, zëvendësministri ose nga ndonjë person tjetër i autorizuar nga ministri. Për punonjësit e tjerë të ministrisë dhe punonjësit e tjerë në rrethe, nga eprorët direkt, drejtorët. Në rastet e punonjësve të shërbimit spitalor e shërbimit parësor propozimi për kryerjen e shërbimit do të bëhet nga shefat e këtyre shërbimeve, ndërsa miratimi do të jepet nga titullari (Drejtori). Për drejtorët e Drejtorive Spitalore dhe Drejtorive të Kujdesit Shëndetësor Parësor në rrethet e kategorisë së parë, nga drejtori i Shëndetit Publik. Urdhrat e Shërbimit të drejtorëve të Shëndetit Publikm të cilët do të kryejnë shërbime brenda rrethit, do të nënshkruhen në Drejtorinë e Kujdesit Shëndetësor Parësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë, pas paraqitjes së një raporti shërbimi të hollësishëm, i cili përveç konstatimeve do të përmbajë dhe qëllimin e shërbimit dhe kohëzgjatjen e tij. Çdo urdhër shërbimi duhet të nënshkruhet nga

personi që autorizon shërbimin dhe duhet të jetë i shoqëruar rigorozisht me dokumentacionin justifikues përkatës. Kur shëron një të sëmurë duhet të shënohet dhe emri i të sëmurit, numri i kartelës, dhe pritësi të nënshkruaj dokumentin. Kohëzgjatja e shërbimit do të jetë jo më shumë se një ditë, përveçse në raste të veçanta. Në rast se shkelet ky udhëzim, personat do të kthejnë shumën e përfituar nga dietat dhe ndaj tyre do të merren masa administrative.

Të ardhurat dytësore brenda ditës në arkë

Të ardhurat dytësore, të krijuara nga diagnostikimet, analizat dhe vizitat me pagesë do të derdhen në arkën e institucionit brenda ditës. Sipas urdhrit më të fundit, firmosur nga ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, arkëtaret e të ardhurave dytësore, do të pajisen me blloqe mandat-arkëtimi, numrat e të cilëve do të jenë të sekretuara, dhe mbi këtë bazë do të ushtrohet kontroll i rreptë për zbatimin e Ligjit. Drejtuesit e institucioneve, në vazhdimësi, do të organizojnë kontrolle të brendshme për funksionim e shërbimit, funksionimit të arkës dhe derdhjen e të

ardhurave, duke ballafaquar të dhënat e regjistrave të

vizitave të mjekut me derdhjet që ka bërë në arkë çdo

mjek. Skemat e shpërndarjes së tyre duhet të miratohen detyrimisht nga këshilli tekniko-administrativ i institucioneve.

Spitalet të mbushura me mallra stoqe

Brenda muajit dhjetor të këtij viti mallrat stoqe të mbetura në magazinat e spitaleve do të rishpërndahen. Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë do të analizohet gjendja e mallrave stoqe dhe me qarkullim të ngadalshëm, duke nxjerrë shkaqet e përgjegjësitë për krijimin e tyre si dhe të programohen detyrat per eliminimin e tyre. Materialet e ndërtimit, elektrike dhe materialet e tjera që janë gjendje aktualisht, do të përdoren për

nevojat e institucioneve përkatëse në mirëmbajtjen dhe/ose investimet e vitit 2005, duke zbritur vlerën e tyre nga fondet e prokurimit, dhe duke u paguar subjekteve kontraktuese vetëm çmimin e punëtorisë. Të gjitha materialet, të cilat nuk mund të përdoren më, do të nxirren jashtë përdorimit sipas dispozitave

ligjore. Të gjitha materialet stoqe që mund të krijohen rishtazi dhe do të konstatohen gjendje, do t’u vihen në ngarkim personave përgjegjës për krijimin e tyre, ndaj të cilëve do të merren edhe masa administrative. D.Xh

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›