E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDS: Raporti konfirmon dështimin e qeverisë “Berisha”



Partia Demokracia Sociale e ka komentuar Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit si shprehje të dështimit të qeverisë “Berisha” dhe si një shuplakë e rëndë ndaj saj, për përpjekjet për të goditur institucionet e pavarura, median dhe për nivelin e lartë të korrupsionit. Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari, tha se raporti thotë qartësisht se kryeministri Berisha duhet të largohet. “PDS e vlerëson Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut si një analizë të mirëfilltë dhe profesionale, por mbi të gjitha si një shuplakë ndaj qeverisë së dështuar të Sali Berishës. Vlerësimet e raportit për marrëdhëniet konfliktuale të qeverisë me institucionet e pavarura dhe mediat dëshmojnë se Berisha është futur sërisht në një rrugë pa krye, drejt një dështimi të pashmangshëm. I paaftë të qeverisë dhe i etur për pushtetin që nuk i takon, Berisha ka prodhuar konflikte pa fund, ndërsa ka anashkaluar shqetësimet e vërteta të njerëzve. Kritikat e raportit të SHBA-ve për ligjin e dosjeve dhe mundësitë e qeverisë për të abuzuar me të, dëshmojnë se për dy muaj kryeministri i Gërdecit gënjeu veten dhe të përndjekurit politikë, pasi ai nuk kishte aspak qëllim të zgjidhte një çështje madhore siç është ajo e krimeve të komunizmit. PDS shfrytëzon rastin për t’u bërë thirrje partive opozitare të jenë vigjilente ndaj përpjekjeve të kryeministrit për të ndikuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Vetëm abuzimi me votën është rruga e Berishës për të mos u larguar nga pushteti, kundër vullnetit të shqiptarëve. Raporti i djeshëm i SHBA-ve na thotë qartë se Sali Berisha, për shkak të dëmeve të tij të shumta, duhet të largohet”, - tha Duçkollari.

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›