PDSH: Procesi zgjedhor jashtë çdo standardi demokratik

Kuvendi Qendror i Partisë Demokratike Shqiptare, vlerëson se Zgjedhjet lokale 2013, të mbajtura në Maqedoni, nuk ishin të organizuara në frymën demokratike.
“Këto zgjedhje u karakterizuan me shumë parregullsi, si gjatë fushatës ashtu edhe gjatë ditës së votimit. Qeveria dhe Institucionet shtetërore që janë kompetente për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, janë përgjegjësit kryesorë që zgjedhjet nuk përmbushën as standardet minimale të kërkuara nga Bashkimi Europian dhe OSBE-ODIHR-i për të qenë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike”, thuhet në konkluzionet e Kuvendit të PDSH-së.
Ky subjekt politik vlerëson se, Qeveria e Maqedonisë në zgjedhjet lokale 2013 ka keqpërdorur maksimalisht institucionet shtetërore për interesa partiake, shkruan Ina.
“Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Bujqësisë, Ministria e punës dhe politikës sociale, Institucionet arsimore si universitetet, shkollat e mesme dhe fillore, nëpunësit e Administratës shtetërore, Drejtoria e të hyrave publike kanë shantazhuar, kërcënuar dhe kushtëzuar qytetarët që të votojnë për partitë në pushtet, kanë shlyer nga listat e votuesve mijëra qytetarë shqiptar, votues të PDSH-së, si dhe në fund implikuan edhe KQZ-në dhe Gjykatën Administrative në shërbim të interesave të partive në pushtet”, vlerëson PDSH.
PDSH ka hedhur kritika të ashpra edhe në adresë të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë.
“Në këto zgjedhje u vërejt edhe keqperdorimi i institucionit Bashkesi Fetare Islame nga Kryetari i BFI-se Sulejman Rexhepi me disa bashkëpuntor, të cilët kanë thirrur për përkrahje të drejtperdrejt për BDI-në, duke shkelur mbi parimet e funksionimit të BFI-së”, konludoi Këshilli Qendror i PDSH-së.
Sipas PDSH-së, roli i mediumeve në Maqedoni e në veçanti Alsat-M ka qenë jashtë çdo standardi etik dhe profesional.
“Përpara fillimit të fushatës, por edhe gjatë fushatës zgjedhore mediumet në përgjithësi kanë anuar për partitë në Qeveri, duke thumbuar partitë opozitare, duke shtrembëruar të vërtetën dhe duke manipuluar opinionin.Ky proces zgjedhor nga ana e partive në pushtet u shëndrua në procesin zgjedhor më të korruptuar, më të kriminalizuar dhe më të falsifikuar se ndonjeherë më parë në këto 20 vite. Këtë më së miri e dëshmoi rasti me falsifikimin e rezultatit zgjedhor në Çair nga ana e BDI-së”, theksohet më tej në konkluzionet e PDSH-së për zgjedhjet lokale 2013.
Përkundër faktit se këto zgjedhje nuk përmbushën asnjë standard minimal të kërkuar nga Bashkimi Europian dhe OSBE-ODIHR-ja që të quhen zgjedhje fer, të lira dhe demokratike, megjithatë PDSH-ja vlerëson se shënoi ngritje të numrit total të votave duke tubuar 30.000 vota më tepër, në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, ku në nivel shtetëror arriti mbështetjen e mbi 100.000 shqiptarëve.
Të gjitha parregullsitë që ndodhën gjatë procesit zgjedhor të vitit 2013, Partia Demokratike Shqiptare thotë se i ka dokumentuar dhe për të njëjtat do t’i informojë institucionet ndërkombëtare në vend dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve të ndryshme./Indeksonline/