Asgjësohen predhat e gjetura në Shijak
• SHIJAK - Shtatë predhat e granatahedhësit të gjetura në Shijak mëngjesin e së dielës janë asgjësuar në poligonin ushtarak të fshatit Rrushkull. Bashkë me predhat kalibër 40 mm janë plasur edhe tetë mbushjet hedhëse, të cilat përbënin gjithashtu municionin e një arme të lehtë kundërtank. Në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të Durrësit është kryer zhvendosja e këtyre municioneve nga vendi i ngjarjes dhe me urdhër të Prokurorisë së Rrethit u bë më pas asgjësimi i tyre në poligonin e specializuar. “Ekspertët pasi krijuan një kordon sigurie me rreze mbi 200 metër vendosën shpërthimin e stimuluar të tyre”, bëri të ditur policia e Qarkut të Durrësit. Burimet saktësuan se, përpara shpërthimit municionet e gjetura në shtëpinë e braktisur të lagjes “Popullore” të Shijakut i janë nënshtruar një akt-ekspertimi të hollësishëm. Sasia e municioneve është bërë objekt hetimi dhe policia ka analizuar me kujdes gjithçka për të nxjerrë prej tyre prova shkencore si, gjurmë gishtërinjsh, apo detaje të tjera që pasurojnë dosjen, e cila tashmë ka rënë në duar të prokurorëve të Durrësit. o.u