E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDU krijon strukturat në Fier



Kryesuesi i grupit nismëtar të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i shoqëruar nga dhjetëra simpatizantë të kësaj force të re politike, zhvilloi një ditë më parë një takim me më shumë se 50 nismëtarë të degës së kësaj partie në qytetin e Fierit. Sipas njoftimit të kësaj partie, Idrizi njohu të pranishmit me arsyet që çuan në formimin e partisë të katërt më të madhe të Kuvendit të Shqipërisë si edhe me programin e saj. Gjatë fjalës së tij, Idrizi theksoi nevojën që ka politika shqiptare për një parti që ka në qendër të programit të vet çështjen kombëtare dhe lajtmotiv çështjen çame. “Partia për Drejtësi dhe Unitet nuk do të bëjë kompromise mbi disa pika të programit të vet, siç është çështja çame dhe çështjet kombëtare, për asnjë arsye. Ne kemi një profil dhe identitet të qartë", - theksoi gjatë fjalës të tij Idrizi. Deputeti tjetër i PDU-së në Kuvend, z. Dashamir Tahiri, tha gjatë fjalës së tij se PDU ishte një domosdoshmëri për politikën shqiptare. Të pranishmit falënderuan drejtuesit e grupit nismëtar për sqarimin për programin e partisë dhe për atë çka kjo parti zotohet se do të arrijë në të ardhmen. Në Partinë për Drejtësi dhe Unitet për qytetin e Fierit aderon edhe Nimet Isufi, i cili ndonëse arriti të merrte vota të mjaftueshme në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk u zgjodh deputet, për shkak të problemeve të krijuara në qarkun e Fierit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›