E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Rama nuk tërhiqet nga protesta



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se protestat dhe bojkoti i Kuvendit nga PS-ja do të vijojnë më tej. Deklarata e Ramës u bë dje gjatë një konference për shtyp, ku i përshëndeti qytetarët që morën pjesë në protestë, duke e cilësuar atë si një protestë të tejmbushur me njerëz. Vetëm një ditë më parë, Asambleja e OSBE-së miratoi raportin e këtij misioni për zgjedhjet në Shqipëri dhe zëvendëspresidenti i OSBE-së vlerësoi procesin në Shqipëri. Nga ana tjetër edhe Komisioni Evropian shprehu bindjen se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ishin më të mirat dhe nuk lënë vend për kontestime. Pavarësisht këtyre deklaratave të ndërkombëtarëve, Rama u shpreh i vendosur për të vijuar më tej rrugën e bojkotit dhe protestave dhe duke iniciuar mbledhjen e 20 mijë firmave nga qytetarë për të miratuar një ligj për të hapur kutitë. Ai këmbënguli në vazhdimin e bojkotit, duke i cilësuar deklaratat e Kryeministrit si mundësi për vijimin e protestave. Kryeministri Berisha deklaroi pak ditë më parë se opozita mund të drejtonte një komision hetimor parlamentar, ndërsa kjo deklaratë për lidershipin socialist nuk lejon hapjen e kutive të votimit. Nga ana tjetër, Rama tashmë kërkoi shpalljen zyrtare të bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme lokale në 5 njësi të qeverisjes vendore që do të mbahen në datën 15 nëntor. “Do t’i propozoj Asamblesë për mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor të pjesshëm, i cili nuk do të ishte tjetër vetëm një zgjatim i procesit zgjedhor të deformuar të 28 qershorit”, - deklaroi Rama.

Në konferencën e tij për shtyp, Rama nuk pati asnjë dyshim se numri i protestuesve një ditë më parë ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa shpjegoi se në projekt-draftin që kërkon hetimin e zgjedhjeve ishin hedhur gjatë protestës mbi 10 mijë firma. "Vetëm dje, në spontanitet të plotë, numri i firmave në dijeninë time, të paktën deri në momentin kur unë zbrita nga tribuna për të vazhduar bashkë me të tjerët, e kishte kaluar 10-mijëshin. Kështu që jemi në kushtet kur me lehtësinë më të madhe mund të bëjmë numrin e firmave të nevojshme sipas Kushtetutës për të çuar në Parlament me kërkesë të qytetareve. E rëndësishme është përmbajtja e betejës sonë dhe pjesëmarrja e djeshme ka qenë e jashtëzakonshme”, - tha më tej Rama. Kreu i PS-së nuk dha ndonjë shpjegim për lëvizjet e ardhshme politike të PS-së me përjashtim të mbledhjes të firmave për ndryshimin e ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›