PE: Afati për zgjidhjen është deri të mërkurën e ardhshme
Pas deklaratës së zëvendëskryetarit të PE për Ballkanin, Viktor Boshtanau, burime nga pjesëmarrësit e mbledhjes së një dite më parë në PE thanë se afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve është caktuar të jetë mesi i javës së ardhshme. Sipas të njëjtave burime, pas takimit të djeshëm në Bruksel, drejtuesit kryesorë të PE kanë përcaktuar parimet mbi të cilat do të ngrihet marrëveshja. Berisha dhe Rama janë njoftuar se në respekt të hapësirave që lejon Kushtetuta, por edhe të nevojës për transparencë, duhet të formulojnë vetë një trup kompromisi të mundshëm për zgjidhjen e ngërçit politik deri të enjten. Të vetëdijshëm për divergjencat që mund të pengojnë detajet e një marrëveshje të mundshme, negociatorët shpjeguan se vetëm për kapërcimin e tyre mund të ftojnë sërish në Strasburg çiftin Berisha – Rama, kësaj here pa dreka apo darka në “Krokodil”. “Ftesa varet nga gjetja e gjuhës së përbashkët në vija të trasha deri të mërkurën mes palëve, në mënyrë që ne të diskutojnë vetëm për detajet në Strasburg. Nëse kjo nuk arrihet ne do të heqim dorë më keqardhje dhe do të dalim me një qëndrim publik që do të reflektojë mesazhin që përmbante letra e krerëve të dy grupimeve politike nga ana e PE-së”, u shprehën burimet.
Kujtesë: çfarë përmbante letra“Që ky mesazh të jetë sa më i qartë për dy partitë kryesore në Tiranë ne kërkuam enkas përfshirjen në Këshillin e të hënës të ministrave të Jashtëm, të konkluzioneve për Shqipërinë, në mënyrë që të dy palët në vend të kuptojnë seriozitetin tonë kur flitet për marrëdhëniet BE-Shqipëri”, rrëfyen burimet. Në fakt, në axhendën e ministrave të Jashtëm të BE-së që mblidhen në hënën në Luksemburg shkruhet se për Shqipërinë këshilli do të diskutojë për situatën politike sipas informacioneve mbi përpjekjet lehtësuese të iniciativës së Dol dhe Shuls, e cila gëzon mbështetjen e përfaqësues së lartë Ashton dhe komisionerit për Zgjerim, Fule.
#