PE: Bosnja më afër heqjes së vizave, Shqipëria të vijojë përmbushjen e kritereve
Parlamenti Europian i kushton më shumë vëmendje liberalizimit të vizave “Shengen” ndaj Bosnjës krahasuar me Shqipërinë. Rezoluta e miratuar tashmë për Bosnjën nënvizon se autoritetet e Sarajevës kanë përshpejtuar reformat në këtë fushë. "Vërehet me kënaqësi se autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës kanë përshpejtuar reformat e tyre dhe kanë bërë progres domethënës në arritjen e kritereve të mbetura të Udhërrëfyesit për regjimin e lirë të vizave, çfarë tregon se me vullnetin e nevojshëm, progres domethënës në reforma mund të arrihet. Autoritetet e Bosnjës inkurajohen fort për të miratuar pjesët e mbetura të legjislacionit përshtatës", - thuhet mes të tjerash. Paragrafi i vetëm i njëjtë për të dyja vendet në këtë proces është ai mbi propozimin e Komisionit, të cilit i kërkohet të verifikojë përmbushjen e kritereve të mbetura në muajt e ardhshëm, me qëllim që të qartësohet më pas rruga e miratimit të vendimit nga Parlamenti Europian dhe Këshilli. Por, vetëm në rastin e Bosnjës ky paragraf shoqërohet me një pasazh shtesë. "Parlamenti Europian njeh rëndësinë e liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës për të udhëtuar brenda BE-së". Në dokumentin konfidencial që Diplomacia franceze u paraqiti eurodeputetëve të saj, vërehet se formulimi për votën ndaj Shqipërisë mbi çështjen e vizave duhet të theksojë rëndësinë e përmbushjes së plotë të kritereve që kërkohen. "Franca konsideron se respekti i plotë dhe i verifikuar i kritereve kushtëzuese për heqjen e detyrimit të vizave është nevojë që ka përparësi mbi afatin kohor. Procesi i liberalizimit të vizave do të mbyllet vetëm kur Këshilli dhe përpara tij Parlamenti Europian do të mund të shprehen mbi vlerësime të besueshme, të bazuara në përmbushjen e plotë të të gjitha kritereve", - thekson rezoluta.
26 Qershor 2010