E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta e PE-së: “Të zgjidhet kriza politike, palët të pranojnë ndërmjetës”



Eneida Jacaj
Rezoluta e Parlamentit Europian ka kritikuar situatën politike në vend. Në të theksohet se qeveria duhet të bëjë hapa të mëtejshëm në konsolidimin e demokracisë. Duke u ndalur te konsensusi për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, në rezolutë theksohet se maxhoranca dhe opozita duhet të pranojnë ndërmjetës nga Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian, megjithëse opozita e ka pranuar një gjë të tillë. Më tej, rezoluta e PE-së është ndalur edhe në çështje të tjera si kriza ekonomike, liberalizimi i vizave, reforma në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe liria në media. Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pasi është njohur me rezolutën, deklaroi se ajo përmban të vërtetën alarmante për situatën në Shqipëri. Gjithashtu, Rama tha se rezoluta nënvizon shkallën e lartë të informalitetit ekonomik, shkallën e madhe të papunësisë dhe rritjen e borxheve. “Unë përshëndes Komisionin që e miratoi, por pikat e një projektrezolute që është në proces drejt seancës parlamentare të Parlamentit Europian dhe që përbën një pasqyrë dramatike për situatën në Shqipëri, të përshkruar me gjuhën e politikës evropiane, janë alarmante”, - u shpreh Rama.

Kriza politike
Rezoluta e Parlamentit Europian u bën apel palëve politike që të gjejnë zgjidhje për krizën politike, zgjidhje e cila arrihet vetëm duke u bazuar në respektimin e Kushtetutës dhe parimeve të transparencës. Në të theksohet se Shqipëria duhet të plotësojë kriteret e Marrëveshjes së Kopenhagës, ku kërkohet stabiliteti institucional në garantimin e demokracisë. Rezoluta nënvizon faktin se me gjithë bisedimet më të fundit nga Bashkimi Europian, akoma nuk është arritur konsensusi mes palëve dhe në rast se zgjidhja nuk është gjetur, rezoluta u kërkon palëve të pranojnë ndërmjetësimin nga Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian. Në Rezolutën e PE-së nënvizohet se zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2009 arritën shumë nga standardet ndërkombëtare, por dështuan në besueshmërinë e zhvillimit të procesit elektoral. PE-ja, edhe pse pranon progresin e arritur nga Shqipëria, sërish i bën apel qeverisë që të rrisë përpjekjet e mëtejshme në konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e shtetit.

Kriza ekonomike
Ndryshe nga pretendimet e maxhorancës për rritje të ekonomisë, rezoluta i bën thirrje qeverisë që të marrë masa në uljen e varfërisë sidomos në zonat rurale. “Pavarësisht uljes së varfërisë në vitet e fundit si rezultat i rritjes së GDP-së (Prodhimit të Përgjithshëm Bruto) dhe rritjes ekonomike, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë akoma jeton në varfëri dhe përpjekjet duhet të vazhdojnë për të ulur varfërinë sidomos në zonat rurale”, - thuhet në rezolutë. Shifrat e ekonomisë mes maxhorancës dhe opozitës ka qenë molla e sherrit gjatë muajve të fundit, pasi, sipas opozitës, kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode publikojnë vetëm ato shifra pozitive që tregojnë rritje ekonomike, ndërsa shifrat negative nuk preferojnë t’i publikojnë duke fshehur të vërtetën.

Korrupsioni
Sipas rezolutës së PE-së, lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë e madhe politike, ku zbatimi i ligjit në ndjekjen penale mbetet i dobët. Në rezolutë theksohet nevoja për të rritur investigimet dhe dënimet në rastet kur ka korrupsion të lartë. “Hapat e mëtejshëm në zbatimin e reformave strategjike për administrimin publik duhet të sigurojnë zbatimin e plotë të ligjit të shërbimit civil, duke përfshirë një sistem menaxhimi adekuat human për të mos lejuar politizimin e administratës. Këto praktika depolitizuese duhet të krijojnë meritën e punësimit të bazuar në ligjin civil, të cilat do të kontribuonin në rritjen e besimit të qytetarëve në administrimin publik”, - thuhet në rezolutë.

Reforma në Drejtësi
Rezoluta thekson se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur dhe i pa ndikuar nga pushteti. “Përsa i përket reformës gjyqësore që përfshin zbatimin e vendimeve të gjykatës, është një kusht paraprak për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, - thuhet në rezolutë, ku nënvizohet se “theksojmë rëndësinë e ndarjes së pushtetit në një shoqëri demokratike që e vë theksin te transparenca; që është e paanshme dhe eficiente në Drejtësi, e pavarur nga bindjet politike apo nga ndonjë ndikim tjetër”. Në rezolutë është përmendur edhe Ligji i Lustracionit, i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese dhe është akoma në rishikim. Rezoluta thekson se ky ligj kërkon konsultim dhe konsensus. Gjithashtu, ajo shprehet se Komisioni i Venecias pati një draft të përgatitur, ku thekson rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve.

Liria e Medias
Rezoluta i bën thirrje qeverisë që të garantojë lirinë e shprehjes dhe media mos të ndikohet nga pushteti. “Pavarësia dhe diversiteti i medias si publike dhe private si guri themelor i demokracisë është përfshirë në një progres jo shumë të madh në kompletimin e strukturës ligjore në media”, - thuhet në rezolutë, e ndërsa apelon: “Nxisim autoritetet të bëjnë çdo përpjekje për të zbatuar strukturën ligjore të medias në një linjë me standardet europiane dhe të sigurojnë lirinë e medias. Përsa i përket presionit politik mbi KKRT-në, autoritetet duhet të sigurojnë pavarësinë e saj”.

Gjinushi: “OSBE-ja dhe maxhoranca janë përgjegjëse për manipulimin e zgjedhjeve”

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, bëri dje bashkëpërgjegjëse të manipulimit të zgjedhjeve misionin e OSBE-së në Tiranë. Gjinushi shprehu mospajtimin me veprimet provokative të OSBE-së, e cila kërkon reformë zgjedhore, pa qartësuar më parë se cilët ishin manipulatorët politikë të zgjedhjeve të shkuara. “Shpreh mospajtimin dhe indinjatën ndaj veprimeve të pamatura të misionit të OSBE-së në Tiranë. Të kërkosh reformë zgjedhore pa bërë transparencën e zgjedhjeve, pa evidentuar më parë manipulatorët politikë të tyre. Kjo është një kundërvënie e hapur ndaj kërkesës kushtetuese të opozitës dhe rezolutave të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian që kërkojnë hetim të zgjedhjeve dhe nxjerrjen e shkaktarëve të manipulimit. Kjo tregon që misioni i OSBE-së është bashkëpërgjegjës për manipulimet e 28 qershorit dhe kërkon të mbulojë dështimet e veta. Pra përfundimisht nuk ka reformë pa transparencë, nuk ka reformë me këtë KQZ”, - deklaroi Gjinushi. Sipas Gjinushit, misioni gënjen edhe kur shprehet se rezultati është miratuar unanimisht, pasi kjo ka ndodhur për mandatet dhe jo për votat. Për kreun e socialdemokratëve fillimisht duhet të depolitizohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që është shkaktar për krizën aktuale, pasi prishi nenin konsensual të rinumërimit të votave, nuk mori parasysh asnjë ankimim dhe sepse lejoi votimin dhe vjedhjen e hapur të votave.

26 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›