PE: Jemi gati të mbështesim heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë Selia e Parlamentit Evropian në Strasburg

Parlamenti Evropian, theksoi sot se të gjitha përpjekjet për të bojkotuar punën e Parlamentit në të ardhmen, do të pengonin dhe vështirësonin ambiciet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Deklarata erdhi nga deputetët e PE, Eduard Kukan, Jelko Kacin, Simon Busutil, Tanja Fajon dhe Marije Konerlisen, të cilët u bënë thirrje bënë thirrje të gjithë liderëve politikë, të vazhdojnë përpjekjet që zgjidhja të gjendet brenda institucioneve demokratike. “Të gjitha institucionet demokratike duhet të jenë funksionale në mënyrë që të përballojnë sfidat e integrimit evropian. Debati politik duhet bëhet në këto institucione, vendimet e të cilave duhet të respektohen nga të gjithë”, thuhet në deklaratën e eurodeputetëve. Po kështu, anëtarët e Parlamentit Evropian mirëpritën progresin e bërë nga Shqipëria në kuadër të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Ata theksojnë se Parlamenti Evropian, është i kënaqur me nivelin e përgatitjes teknike për këtë proces. “Jemi gati të mbështesim heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë”, shprehen deputetët, mes tyre edhe koordinatori i grupit më të madh politik në komitetin përgjegjës për çështjen e vizave, Simon Busutil dhe raportuesja për çështjen e vizave Tanja Fajon.