E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujt t’i besohet?!

Rexhep Meidani

Para pak kohësh, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) jep një parashikim shumë më të zymtë për rritjen ekonomike në Shqipëri. Në vitin 2010, nuk mund të ketë efekte të njëjta, por as nuk mund të operohet njëlloj si në vitin 2009, ku rritja më e lartë u dedikohej dhe shpenzimeve publike, të arritura nëpërmjet rritjes së borxheve. Për këtë qellim shërbeu dhe kredia sindikale me kushte jo të favorshme. Por, të tilla ishin kushtet e tregut. Madje, edhe pse Ministria e Financave ishte autorizuar nga Kuvendi për të kontraktuar 250 milionë euro, arriti me vështirësi deri në shumën 192,6 milionë euro. Sidoqoftë, marrja e kredisë sindikale, sipas specialistëve, shmangu në vetvete një krizë të mirëfilltë financiare, që mund ta kishte pushtuar Shqipërinë pa prurjen likuide të kësaj kredie në sistemin tonë financiar, të frustruar nga mungesa e likuiditetit, nga tërheqja e frikësuar e depozitave dhe presionet jo të vogla të bankave mëma mbi degët e tyre në Shqipëri. Por, tani kjo kredi duhet shlyer, dhe me të, krahas të tjerave, lidhet një aspekt i rëndësishëm i trysnisë ekonomike aktuale!...
Në kushte të tilla, sipas BERZH-it, nën ndikimin e krizës, ekonomia shqiptare pritet të rritet me afro 1.4-1.5 për qind. Në një deklaratë për shtyp të kësaj banke theksohet se vetë “bankat do të vijojnë të ndjekin politika të kujdesshme kreditimi, për shkak të rritjes së rrezikut që ka sjellë recesioni. Rritja e kredive të këqija do të rëndojë në bilancet e bankave dhe do të zvogëlojë aftësinë e tyre për të ofruar financime të mëtejshme, që janë të nevojshme për të dalë nga kriza”. Po ashtu, “rritja e kërkesës nga jashtë do të kompensohet nga zbatimi i politikave fiskale të shtrënguara, që do të zbatohen nga shumë vende të rajonit”. Edhe kërkesa private do të jetë e pakët, si pasojë e rritjes së papunësisë dhe kredive të pakta, gjë që do të pengojë rritjen e prodhimit dhe të kursimeve. Pra, sipas BERZH-it, Ballkani Perëndimor do të vuajë gjatë pasojat e krizës ekonomike globale. Bile, nisur nga një optikë e tillë, Claudio Viecoli, Drejtori i BERZH për Ballkanin Perëndimor, arrin deri aty sa të pohojë që rajoni do ta ketë të pamundur të rikthehet në normat e rritjes ekonomike, që patën përpara krizës. Ai, në një intervistë të tij të fundit, thekson se “Nuk ka asnjë mundësi që këto vende, të paktën për një periudhë kohore 3-4 vjet, të mund të kenë norma rritje 6-7 për qind, siç kanë pasur në të shkuarën..., Rajoni nuk u prek nga kriza financiare. Por këtu kriza po godet fort ekonominë reale, sepse bankat edhe pse kanë fonde nuk po japin më kredi për bizneset”. Sipas tij, tashmë rajoni do të përballet me një valë falimentimesh masive, ku bizneset më të dobëta do të eliminohen dhe tregu do të korrektohet. “Për rrjedhojë - deklaron ai- mundësitë e investimeve në këtë rajon për kompanitë e huaja do të jenë të kufizuara, në një klimë që tashmë është e vështirë”...
Edhe Shqipëria, ashtu si i gjithë Ballkani Perëndimor, po përballet dhe do të përballet me një valë falimentimesh. Ajo, edhe pse nuk është prekur nga kriza globale, po goditet jo pak në ekonominë reale, duke e ulur më tej nivelin e pritshmërisë së rritjes ekonomike (diku në 1-2%). Një problem në vete për ekonominë shqiptare mbetet ruajtja e qëndrueshmërisë makroekonomike, mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe e deficitit fiskal.
* * *
Edhe sikur një pjesë e vogël e deklaratave të mësipërme të ishte e vërtetë, kjo gjë duhet ta alarmonte politikën shqiptare, si Qeverinë ashtu dhe opozitën, Kuvendin dhe komisionin parlamentar të ekonomisë, Financat dhe Bankën e Shqipërisë, biznesin dhe median, shoqërinë dhe qytetarin shqiptar. Në vend të përplasjeve të përditshme, në vend të retorikave gati-gati arkaike dhe betejave të balozëve prej “letre”, në vend të shpikjeve të zhurmshme apo vëmendje-tërheqjeve me energji negative, kërkohen angazhime e zgjidhje, mençuri e përballje ekonomike. Bashkëpunim, kompromis e zgjidhje optimale në funksion të qytetarit, “xhepit” të tij...
Për fat të keq po ndodh e kundërta. Nga njëra anë, është Qeveria, sidomos Kryeministri që i ka “hypur kalit të bardhë” të ekonomisë dhe flet për rritje ekonomike dyshifrore, dhe nga ana tjetër, opozita që gjuan vetëm të kundërtën, pa ndërmarrë më të voglën iniciativë korrektuese. Me të drejtë, qytetari shqiptar shtron sot këtë pyetje konkrete: Kujt t’i besohet?! Apo, akoma, çfarë mund të besohet?! Euforia patetike apo nxirja e gjithanshme! Dhe, më e keqja është se mungon në këtë fushë, ashtu si dhe në të tjerat, autoriteti i pavarur me besueshmëri morale e publike në trajtën e INSTAT-it apo si zë konstruktiv, kritik e frenues në trajtën e Bankës së Shqipërisë! Aq më tepër, që këtë realitet problematik, çmendurinë e çmimeve, po e ndjen dhe vetë qytetari shqiptar me të ardhura modeste. Madje, ai e ndjen atë sot kudo nëpërmjet “elokuencës së fakteve të vogla”, qofshin ata si pagesa të vonuara apo pensione të shtyra!...
* * *
Ekonomia shqiptare, në përqindje të madhe, në dekadën e fundit është rritur duke u bazuar më shumë te remitancat dhe më pak tek investimet e huaja. Si pasojë e krizës globale, remitancat shqiptare janë në rënie për disa arsye, por dhe si pasojë e rritjes së papunësisë në vendet e BE-së. Madje, pritej dhe në kushte normale që të zvogëlohej një kontribut i tillë. Por, si mund të zëvendësohet ky kontribut? Për Bankën e Shqipërisë si “deux machina” është rritja e investimeve të huaja, ndërkohë që është hedhur ideja e rishikimit të strategjisë së borxhit publik.
Në këtë kuadër është menduar dhe për përfshirjen e një instrumenti të ri: Eurobond-it (fillimisht, të projektuar me interes 7%, dhe më pas 8%), për të shlyer pjesërisht kredinë sindikale (që ka interesa më të larta) dhe pjesërisht për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për investime. Pritet po ashtu që ky instrument, nëpërmjet likuiditetit në valutë, të arrijë të ushtrojë një presion pozitiv mbi kursin e këmbimit lek/euro.
Por, dhe nëse mendohet se vendi ynë mund të tentojë të rrisë borxhin publik në një periudhë afatshkurtër apo afatmesme për të financuar rritjen ekonomike, kjo mund të arrihet vetëm me një konsensus të plotë me opozitën. Megjithatë, edhe në kushte konsensusi, ky skenar ndesh reagimin negativ të institucioneve ndërkombëtare që sugjerojnë të kundërtën. Aq më tepër, që një gjë e tillë kërkon profesionalizëm, kapacitete e aftësi menaxheriale. Gjë që mund të “përkthehet” se në këtë marrje huamarrje për investime, Qeveria duhet të arrijë t’i shlyejë borxhet kur ekonomia të përmirësohet, gjë që jo vetëm i bën këto investime shumë më të kushtueshme, por dhe me ndikim realisht të ulët. P.sh., vitin e kaluar, Shqipëria e shtoi borxhin publik për investime, që deri tani nuk kanë nxjerrë fitime, përkundrazi. Po në kushte recensioni ekonomik, çfarëdo mund të pritet? Aq më shumë, kur ekziston rreziku i një procesi transformimi nga recensioni shumë i afërt, në atë të minimumit ekonomik apo të “gropës ekonomike”!
Dhe, më e çuditshmja, është se pikërisht në kushte të tilla të vështira, shpallet objektivi apo premtohet ulja e borxhit publik nga afro 60% e PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) në 53% në fund të vitit 2012 dhe e deficitit buxhetor, nga afro 7% për vitin 2009, deri në 3%, në fund të vitit 2011. Kjo nënkupton në vetvete një sjellje tepër konservative ndaj shpenzimeve kapitale e operative!...
* * *
Siç pranohet, recensioni ekonomik, nga pikëpamja teknike, është një rënie apo “zbythje” në dy tremujorë të njëpasnjëshëm të PBB-së. Gjatë recensionit konstatohen qartësisht disa tipare të përgjithshme, si: bie ritmi i rritjes i PBB-së; firmat prodhuese ulin prodhimin apo reduktojnë rezervat; rritet papunësia; zvogëlohet niveli i investimeve; kompanitë vuajnë nga rënia e fitimeve, apo vlerat në rënie të rikthimit të planifikuar të investimit, etj. Në kushtet shqiptare, krahas disa shenjave të mësipërme, humbje të konsiderueshme po shfaqin mjaft aktivitete tregtare, të goditura nga dobësimi i lekut sidomos ndaj dollarit (blerjet në dollarë më parë dhe shitjet e mëvonshme të këtyre mallrave në tregun shqiptar në lekë janë bërë tepër shqetësuese, si për tregtinë e shumicës, ashtu dhe të pakicës). Por po aq problematike janë: niveli i lartë i papunësisë, zgjatja apo shtyrja e investimeve të planifikuara, reduktimi i shpenzimeve të konsumatorëve, etj. Bile, duke analizuar në mënyrë më të detajuar këta tregues, sidomos ata të lidhur me konsumin, shqetësimet e mësipërme bëhen akoma më serioze. Gjithashtu, shpresat “ekzekutive” për investime teknologjike larg kushteve evropiane mjedisore janë të pjesshme, pa perspektivë në kuadër të direktivave gjithnjë e më të rrepta të BE-së. Dhe, mbi të gjitha, ato as nuk e zgjidhin krizën, aq më shumë që na shfaqen si projekte investimesh të papërgjegjshme e larg interesave kombëtare afatgjata. Pra, kërkohet një përgjegjësi e re, shumë më tërësore, një mendim shumë më i specializuar dhe me peshë reale. Dhe, mbi të gjitha, ajo që kërkohet sot është njohja e detajuar dhe pranimi i seriozitetit të situatës, debatimi midis të gjitha grupimeve politike dhe isntitucioneve përgjegjësve, përgatitja sa më e shpejtë dhe në mënyrë konsensuale e një pakete që të ligjërojë “konservatorizmin” ekonomik e monetar. Aq më tepër, që dhe vetë Gjermania, me gojën e kancelares Merkel, deklaroi se do të shpenzojë po aq të ardhura sa arkëton, duke e futur kështu ekonominë-motor të Eurozonës në një regjim të rreptë, gati-gati spartan, shkurtime shpenzimesh e kursimesh. Jo më Shqipëria!...
Pra, politika të bëhet realisht e ndërgjegjshme, të paktën në fushën ekonomike. “Flluskat e reja të sapunit” me tematika të llojllojshme apo të servirura, nuk e shpëtojnë ecurinë ekonomike, që ka ligjet e veta, të ndryshme nga “prodhimet” politike. Prandaj, dhe të nisë sa më parë një debat ekonomik në Kuvend, ku politika të bashkohet rreth ekonomisë dhe tematikës së saj. Aspak për të rrahur gjoksin apo për të drejtuar gishtin e fajtorit ose të heroit, por për të reduktuar në maksimum pasojat negative të valës së pritshme të goditjeve ekonomike-financiare, për të minimizuar vështirësitë dhe pasojat potenciale, dhe për të ecur së bashku me bindje e konsensus drejt situatave më të favorshme...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›