E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkitektura e re financiare europiane dhe financat tona

Anastas Angjeli

Mendimet dhe debatet për një arkitekturë të re financiare ndërkombëtare , duket se në nivel europian po shënojnë një stad të ri zhvillimi. Si rrjedhojë e krizës globale, e sidomos e asaj financiare të këtyre tre viteve të fundit, dhe në veçanti e krizës së borxheve dhe tronditjeve të thella që po kalon monedha e përbashkët europiane- euro, lëvizja e mendimit ekonomik e financiar dhe vendimmarrja e përbashkët e institucioneve europiane, duket se është fokusuar tashmë më tepër në përballjen e këtyre krizave, jo më përmes ndryshimeve thelbësore në instrumentet e mbikëqyrjes financiare, por nëpërmjet reformave rrënjësore në qeverisjen e përbashkët ekonomike europiane dhe ngritjen e institucioneve dhe përdorimin e mekanizmave funksionalë të ndihmës për shtetet anëtare të eurozonës, në raste krizash, apo të nevojave emergjente, në kushtet e vështirësive financiare të çdo shteti anëtar të eurozonës.
Tronditja e thellë e eurozonës, e cila doli më në pah nga shpërthimi i krizës greke dhe efekti domino që ajo transmetoi ne disa shtete anëtare të eurozonës (Spanjë, Portugali, Irlandë etj) e “shtrënguan” BE-në, jo vetëm të miratojë një paketë 130 miliardë euro (për tre vjet) për Greqinë, në këmbim të një paketë të fortë reformash financiare dhe ekonomike që Greqia duhet të zbatojë, por të miratojë edhe një paketë reformash financiare (750 miliardë euro të gatshme në ndihmë të vendeve të eurozonës) sipas disa kushteve të detyrueshme që të gjitha vendet e eurozonës duhet të zbatojnë. Ndërkaq, ndërsa kriza financiare e buxhetore në veçanti, dhe ajo ekonomike në përgjithësi, po infekton thuajse gjithë vendet e eurozonës, nevoja për një sërë masash shtrënguese financiare dhe të një mbikëqyrjeje të kujdesshme dhe menaxhimi më të mirë të financave publike në përgjithësi, në këto vende po shndërrohet në domosdoshmëri.. Zbatimi i tyre tashmë ka filluar jo vetëm në Greqi, Spanjë, Portugali, por edhe në Britani, Gjermani, Francë, Itali etj.
Gjithashtu BE-ja dhe në veçanti vendet e eurozonës, jo vetëm që kanë rritur dhe harmonizuar më tej bashkëpunimin e tyre me FMN-në, por njëherësh po veprojnë me shpejtësi, për krijimin e institucioneve të nevojshme, në funksion të një arkitekture të re financiare, me synime dhe objektiva të qartë antikrizë.
Më konkretisht:.
MEKANIZMI EUROPIAN I MBëSHTETJES
Pas miratimit nga vendet e eurozonës të paketës 750 miliardë euro - në shpëtim të euros muajin e kaluar, doli e domosdoshme jo vetëm përcaktimi i modaliteteve, kritereve dhe treguesve (bazuar në traktatin e Maastricht) por dhe ngritje e institucioneve dhe gjetja e mekanizmave të nevojshëm për bërjen funksionale të kësaj ndihme.
Kjo arsye, si dhe nevoja e zbatimit të një sërë reformave të forta financiare në vendet e eurozonës, bëri që Ministrat e Ekonomisë së Eurozonës të bashkohen në nënshkrimin pak ditë më parë, të marrëveshjes që i jep jetë mekanizmit europian të ndihmës me fonde të përgjithshme prej 750 miliardë euro. Ministrat e Eurozonës, me këtë nismë shpresojnë që të bindin tregjet se janë me të vërtetë të vendosur, për të ndihmuar çdo vend anëtar që do të kërkojë ndihmë dhe se nuk do të lënë asnjë shtet anëtar në mëshirë të tregjeve.
Struktura e mekanizmit mbrojtës është e njëjtë me atë të mekanizmit grek. Marrëveshja lejon shtetet anëtare të japin brenda muajit, deri në 440 miliardë euro çdo shteti anëtar, i cili ka problem kreditimi në tregjet. Në mënyrë që një shtet të marrë ndihmë, duhet që më parë të bëjë një kërkesë zyrtare. Në vazhdim kërkesa do të vlerësohet nga Komisioni dhe Banka Qendrore Europiane, kurse vendimi nuk do të merret nga Euro-Grupi por nga Këshilli Administrativ i Organizmit që do të administrojë paratë e këtij mekanizmi.
Aksionet e Organizmit do t’ju ndahen vendeve anëtare deri në fund të muajit. çdo vend duhet të japë garanci për pjesën e aksioneve që i takon (në këtë rast mbizotëroi qëndrimi i Gjermanisë, e cila ishte kundër garancisë së përbashkët). Mekanizmi prej 440 miliardë Eurosh do të plotësohet, dhe nga 60 miliardë Euro nga Komisioni, si dhe nga 250 miliardë Euro të FMN-së.
BASHKPUNIMI, NDERHYRJA DHE KRITIKA E RREPTë E FMN-së
Me gjithë skepticizmin e krijuar ndaj rolit dhe ristrukturimit të FMN në situatën e krijuar gjatë krizës globale, duket se edhe FMN e rriti influencn e vet në ekonominë globale dhe atë europiane. Z. Strauss Kahn (Drejtor i FMN) ftoi liderët europianë të marrin masa të rrepta dhe të shpejtojnë masat e shkurtimeve buxhetore. Gjithashtu Europa - sipas tij - duhet të mos hezitojë të ndryshojë akoma dhe Traktatin e Lisbonës. Në deklaratën e FMN-ë thuhet se “korniza financiare e Eurozonës duhet të forcohet në mënyrë të konsiderueshme për të siguruar përgjegjësi kolektive fiskale të nevojshme për funksionimin e një bashkimi monetar”. Masat e rrepta janë të pashmangshme - vazhdon deklarata dhe jepen sugjerime për reforma në tregun e punës, sistemin e mirëqenies sociale dhe tregun e shërbimeve. “Kriza e Eurozonës erdhi si shkak i politikave fiskale të paqëndrueshme në disa vende, e vonesës së korrigjimeve të nevojshme të sistemit financiar, e pamjaftueshmërisë së disiplinës dhe fleksibilitetit të nevojshëm për funksionimin e mirë të bashkimit monetar”.
Kjo deklaratë e FMN përbën, ndoshta, kritikën publike më të rreptë që i është bërë ndonjëherë B.E.
OLLI REHN -EUROPA DUHET
TE ZGJEDHë NDERMJET
REFORMES OSE RëNIES
Në një artikull të Olli Rehn – Komisioneri Europian për çështjet Ekonomike dhe Financiare - në gazetën Kathimerini, vë në dukje se BE - megjithëse reagoi në mënyrë të sinkronizuar ndaj krizës ekonomike dhe kolapsit financiar, akoma nuk e ka shmangur rrezikun përfundimisht. Për këtë arsye, ai sugjeron disa hapa që duhen marrë:
1) Europa duhet të përballet me barrën e lartë të borxhit publik të së kaluarës. N.q.s. nuk arrihet konsolidimi fiskal, Europa nuk do të jetë në gjendje të shmangë trazira të ardhshme financiare dhe perspektivat për zhvillim të qëndrueshëm do të jenë të zbehta.
2) Duhet të rritet njëkohësisht ritmi i prodhimit të ekonomive europiane dhe i shkallës së punësimit. Në shoqëritë evropiane, të cilat plaken me shpejtësi të lartë, kjo mund të arrihet vetëm me reforma thelbësore strukturore. Kjo është arsyeja se pse duhet shfrytëzuar në mënyrën maksimale tregu i përbashkët, veçanërisht për sa i përket shërbimeve. Për këtë arsye duhen zbatuar reforma në tregun e punësimit, në mënyrë që qytetarët të kenë stimul për t’u zhvendosur nga punë me prodhimtari të ulët, në ato me prodhimtari të lartë. Gjithashtu sistemet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore duhet të jenë më të përshtatshme për rritjen e punësimit. Europa duhet të bëjë investime më të mëdha në arsim dhe në teknologjitë e inovacionit. Pa reforma, Europa do të bjerë në harresë, “në kënetën e një rënieje të ngadaltë”. Zgjedhja alternative është që të ndërmerren reforma vendimtare për modernizimin e modelit europian social të ekonomisë së tregut. Shumica e veprimeve duhet të ndërmerren në nivel kombëtar. Megjithatë, nuk ka asnjë shans për sukses, nëse ne nuk arrijmë të koordinojmë politikat tona ekonomike.
3) Së fundi, është nevoja për përmirësimin e qeverisjes ekonomike në Europë. Duhet të forcohet sistemi i mbikëqyrjes financiare të mëparshëm, për të shmangur krizat financiare të ardhshme dhe duhet të krijohet një kornizë e përhershme dhe e fuqishme për menaxhimin e krizave.
PO FINANCAT SHQIPTARE?
(Dhjetë masa për të shpëtuar financat shqiptare nga “zona e rrezikut”)
Financat publike të vendit tonë po përjetojnë një periudhë faze rënieje dhe tronditjeje, rrjedhojë kjo e shumë faktorëve (situata e 5 mujorit të këtij viti e tregon më së miri këtë gjendje). Vazhdimi i krizës politike në vend, ndikimi i krizës globale në përgjithësi dhe e asaj europiane e rajonale (greke) në veçanti, i rënies së ritmeve të rritjes ekonomike dhe i tkurrjes së vazhdueshme ekonomike, shtimi i papunësisë dhe i një sërë shqetësimeve të tjera sociale, frenimit të biznesit privat dhe rënia e të ardhurave financiare të shtetit, rritja e deficitit buxhetor dhe e borxhit publik, na japin një panoramë pesimiste të financave publike që kërkojnë një vëmendje të veçantë, për një menaxhim ndryshe të buxhetit dhe financave.
Tentativa e Qeverisë për ta ndryshuar buxhetin e këtij viti nuk duhet trajtuar si një çështje thjesht “teknike” dhe “sistemimesh”, por si një pranim i realitetit të vështirë financiar dhe si pjesë e masave antikrizë që duhet të ndërmerren. Kësisoj ai duhet të shoqërohet me aksione të tjera ekonomike e financiare dhe konkretisht:
1) Ndryshimi i ligjit të buxhetit të shtetit të vitit 2010, të jetë transparent, duke bërë publike gjendjen e financave publike, të treguesve makroekonomik, të rritjes ekonomike që pritet te arrihet këtë vit dhe të gjendjes së papunësisë, të të ardhurave dhe shpenzimeve të 6-mujorit të parë të këtij viti, gjendjen e defiçitit dhe të borxhit, shkaqet dhe faktorët e mosrealizimeve dhe përgjegjësitë. Ndryshimet të diskutohen me të gjithë faktorët e interesit, duke i ndërgjegjësuar e bërë pjesë të këtij procesi...
2) Të shpallet programi i masave dhe objektivat (në tregues) që do të arrihen në fushën buxhetore. Të ripërcaktohen të ardhurat tatimore e doganore, dhe të riorientohen shpenzimet publike për investime dhe personelin, si dhe drejtime të tjera, duke synuar për të përballuar ato që janë më të nevojshme e më të domosdoshme. Të hiqet dorë nga premtimet dhe veprimet financiare buxhetore populiste, (midis shpenzimeve të domosdoshme duhen marrë parasysh së paku indeksimi i pagave, pagesave të tjera dhe pensione, me shkallën e inflacionit vjetor) që mund të jenë me pasoja të tronditjeve deri në zonën e rrezikut për financat e shtetit.
3) Të deklarohet objektivi, duke u mbështetur me masa konkrete, në lidhje me uljen e deficitit buxhetor, nën 3.5% të GDP deri në fund të vitit dhe mbajtja në kufijtë e 3% në tre vitet e ardhshme.
4) Të deklarohet, duke u mbështetur me masa konkrete, ulja e borxhit publik, duke arritur në 53 % te GDP-së në fund të këtij vitit dhe në tre vitet në vazhdim të mbetet në kufijtë e 50 %.
5) Të mos vendoset asnjë tatim apo taksë e re për një vit.
6) Të hartohet legjislacioni përkatës dhe të vihet në zbatim Ligji “Mbi amnistinë fiskale”.
7) Të harmonizohet politika e re financiare e buxhetore me një politikë më fleksible (interesash) monetare, që nga njëra anë rrit ritmet e kreditimit të ekonomisë nga sistemi bankar dhe nga ana tjetër nuk ul vigjilencën ndaj sistemit bankar dhe veçanërisht kujdes në ruajtjen dhe frenimin e ritmeve të larta të rritjes së kredive të këqija.
8) Të bëhet transparente - publike gjendja e buxhetit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që të ndërgjegjësohet opinioni publik dhe të shpallet me prioritetet reforma e sigurimeve, megjithë kostot e pasojat që mund të ketë.
9) T’i bëhet thirrje komunitetit të biznesit për një bashkëpunim dhe partneritet më të gjerë dhe të nxiten e të garantohen iniciativat e tyre ekonomike, për të mos ndalur veprimtaritë e tyre, dhe më tej akoma të gjenden dhe përdoren instrumente mbështetëse dhe nxitëse ndaj tyre.
10) Përgatitja, miratimi dhe vënia në zbatim (me konsensus) i një vizioni/modeli me prioritet e reja të zhvillimit ekonomik të vendit që mbajnë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike e sociale të vendit, reflektimin ndaj efekteve e pasojave të krizës politike, të krizës globale dhe asaj të borxheve, të gjendjes së financave publike dhe ndryshimeve buxhetore të mundshme dhe që garantojnë një ristrukturim total të ekonomisë, që na çon dhe siguron rikthimin e gjallërimit të ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë në periudhat e ardhshme afatmesme dhe afatgjata. Në këtë kuadër të rikonsiderohen marrëdhëniet me FMN, në përputhje me situatën e krijuar në financat publike të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›