E Diel, 1 Nëntor 2026

PE: Keqardhje që s’u arrit kompromisi, PS të qëndrojë në Parlament, duhet reformë zgjedhore



Erald Kapri

Krerët e grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, Joseph Daul nga të djathtët dhe Martin Schulz nga të majtët, “dorëzohen” para krizës politike në Shqipëri. Dy politikanët europianë, që morën iniciativën për të ulur në një tryezë Berishën e Ramën në Strasburg, u shprehën dje se janë të indinjuar që PD e PS nuk kanë gjetur zgjidhjen. Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, Joseph Daul dhe presidenti i socialdemokratëve në PE, Martin Schulz, shprehën keqardhjen e tyre që Qeveria dhe opozita nuk mundën të sheshojnë mosmarrëveshjet mes tyre. “Ne sinqerisht shprehim keqardhjen që Qeveria shqiptare dhe opozita nuk mundën të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe për këtë arsye nuk kanë qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshme të nevojshme për të shkuar drejt përmbushjes së ambicies europiane të vendit”, thuhet në deklaratën e dy politikanëve të njohur europianë. Daul dhe Schulz shprehen se të dyja palët duhet të përmbushin dy kërkesa. Ata i kërkojnë PS-së që të qëndrojë në Kuvend, ndërsa PD të punojë me PS-në për reformën zgjedhore. “Ne i kërkojmë opozitës shqiptare që të qëndrojë në Parlamentin kombëtar dhe të vazhdojë punën e saj. Në të njëjtën kohë, ne presim që Qeveria të punojë së bashku me opozitën me qëllimin e një reforme të sistemit zgjedhor dhe procedurat parlamentare”, shprehen në deklaratë Joseph Daul dhe Martin Schulz. Po në të njëjtën deklaratë, ata shprehen se tashmë është përgjegjësi e PD-së e PS-së për të gjetur zgjidhjen e situatës politike në vend. Ata japin këshillën e tyre që zgjidhja të vijë duke respektuar Kushtetutën e vendit në mënyrë transparente. “Ne theksojmë, së bashku me Këshillin, se është përgjegjësi e Qeverisë së Shqipërisë së bashku me opozitën për të gjetur menjëherë, në mënyrë transparente dhe duke respektuar plotësisht Kushtetutën shqiptare, zgjidhjen për ngecjen aktuale dhe rrugët e nevojshme për udhën e vendit drejt BE-së”, thuhet në deklaratë.
Ata shprehen më tej se palët u takuan në Strasburg për gjetjen e zgjidhjes, madje edhe përfaqësues të të dyja palëve u takuan me ekip këshillues dhe kanë mundësitë për zgjidhje. Në këtë pikë, europarlamentarët shprehën shqetësimin e tyre që pavarësisht këtyre përpjekjeve, Qeveria dhe opozita nuk mundën të gjejnë gjuhën e përbashkët. “Në biseda të hapura në Strasburg, Tiranë dhe Bruksel, përfaqësues të të dy palëve janë takuar me një ekip këshillues dhe kanë eksploruar pikëpamjet dhe qëndrimet e secilës palë”, thuhet në deklaratë. Krerët e grupeve parlamentare në PE shprehen më tej se “mbështesim rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian” duke shtuar se “ne shpresojmë që udhëheqja politike shqiptare të kuptojë mirë se tejkalimi i mospërputhjeve aktuale politike është vendimtar për ecurinë e integrimit europian të vendit dhe për promovimin e aspiratave europiane të qytetarëve shqiptarë”.

Deklarata e Daul e Schulz

Ne sinqerisht shprehim keqardhjen që Qeveria shqiptare dhe opozita nuk mundën të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe për këtë arsye nuk kanë qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshme, të nevojshme për të shkuar drejt përmbushjes së ambicies evropiane të vendit.

Ne shpresojmë që udhëheqja politike shqiptare të kuptojë mirë se tejkalimi i mospërputhjeve aktuale politike është vendimtar për ecurinë e integrimit europian të vendit dhe për promovimin e aspiratave europiane të qytetarëve shqiptarë.

Ne theksojmë, së bashku me Këshillin, se është përgjegjësi e Qeverisë së Shqipërisë së bashku me opozitën për të gjetur menjëherë, në mënyrë transparente dhe duke respektuar plotësisht Kushtetutën shqiptare, zgjidhjen për ngecjen aktuale dhe rrugët e nevojshme për udhën e vendit drejt BE-së.

Ne i kërkojmë opozitës shqiptare që të qëndrojë në Parlamentin kombëtar dhe të vazhdojë punën e saj.

Në të njëjtën kohë, ne presim që Qeveria të punojë së bashku me opozitën, me qëllimin e një reforme të sistemit zgjedhor dhe procedurat parlamentare.

Ekspertët e PD e PS
Takimi mes Kryeministrit Berisha dhe liderit të opozitës Rama në Strasburg nuk ka qenë i vetmi. Mes dy palëve ka pasur edhe takime në nivel ekspertësh për të diskutuar në lidhje me gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Edhe dy krerët e grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, Joseph Daul dhe Martin Schulz, theksojnë në deklaratën e tyre se këto takime nuk arritën një zgjidhje. “Në biseda të hapura në Strasburg, Tiranë dhe Bruksel, përfaqësues të të dy palëve janë takuar me një ekip këshillues dhe kanë eksploruar pikëpamjet dhe qëndrimet e secilës palë”, thuhet në deklaratë. Në Bruksel, por edhe në Tiranë, PD dhe PS zhvilluan takime me ekspertët e tyre, por pa rezultat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›