RENEA ekzekuton të kërkuarin
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Vritet gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e RENEA-s një i shumëkërkuar, i dënuar me 23 vjet burg për dy vrasje. Lazër Vuksani, 67 vjeç, hapi zjarr ndaj forcave speciale pasi këta të fundit kishin kryer rrethimin e banesës së tij. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në një zonë të thellë të komunës Temal. Sipas policisë, i kërkuari qëndronte i fshehur prej kohësh në fshatin e tij, Vilë. Ai ishte një nga personat më të kërkuar që nga viti 1997, pasi ishte dënuar për dy vrasje dhe një plagosje, të ndodhura në vitet 1993-1994. Vuksani ishte arrestuar nga policia e Shkodrës në vitin 1995, por kishte mundur të largohej nga vendi i vuajtjes së dënimit gjatë trazirave të '97-ës. Që nga ajo kohë janë organizuar disa herë operacione për kapjen e tij, por kanë dështuar. Kjo, falë terrenit tejet të vështirë dhe malor ku Vuksani kishte zgjedhur për t'u fshehur në zonën e thellë të Dukagjinit, në kufi me Tropojën.
Mësohet se policia e Shkodrës në rrugë operative kishte marrë informacion se i shumëkërkuari, mbrëmjen e së hënës kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Vilë të komunës Temal. Pas informacionit të siguruar, blutë organizuan edhe operacionin për kapjen e tij. Duke e ditur se personi i shumëkërkuar paraqiste një rrezikshmëri të lartë dhe se aksionet për kapjen e tij kishin dështuar disa herë, u vendos që operacioni të udhëhiqej nga drejtuesit e lartë të policisë së Shkodrës dhe nga forcat speciale, RENEA. Specialët e ardhur nga Tirana mbërritën në afërsi të fshatit Vilë me helikopterë dhe më pas i janë afruar banesës së 67-vjeçarit në këmbë. Lëvizja e specialëve ishte tejet i vështirë, pasi sapo ata i janë afruar rreth 500 metra shtëpisë, qentë "njoftuan" të kërkuarin se përreth kishte "vizitorë". Kaq i është dashur Vuksanit që të marrë armën dhe të dalë jashtë banesës së tij. Duke përfituar nga terreni ai është ngjitur në një pjesë sipër shtëpisë dhe më pas ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të forcave të policisë.
Blutë fillimisht kanë marrë pozicion për t'u mbrojtur nga plumbat e Vuksanit, duke i bërë atij thirrje të dorëzohej. Por, ai ka vazhduar të qëllojë në drejtim të tyre, duke mos iu bindur thirrjes. Në momentin ku panë se jeta e tyre po rrezikohej seriozisht, atëherë edhe trupat e RENEA-s kanë filluar t'i kundërpërgjigjen atij. Pasi kanë shkëmbyer për rreth 40 minuta zjarr, më së fundi nga ana e Vuksanit nuk u dëgjuan më të shtëna. Në mënyrë të kujdesshme, forcat RENEA janë afruar dhe konstatuan se 67-vjeçari kishte mbetur i vrarë me një plumb në kokë. Menjëherë në vendngjarje u dërgua një grup hetimor nga ana e Prokurorisë së Shkodrës për ngjarjen e ndodhur. Ata gjetën në vendin e ngjarjes 30 gëzhoja të armës automatike. Gjatë shkëmbimit të zjarrit nuk ka pasur rrezik për banorët e zonës, pasi Vuksani ishte larguar disa metra larg banesës së tij dhe shtëpive të tjera të fshatit.