PE: Mungesa e zgjidhjes rrezikon vizat
Parlamenti Europian pret lajme nga Tirana për arritjen e konsensusit Berisha-Rama. Shefi i delegacionit europarlamentar për Ballkanin, Eduard Kukan, i pranishëm në darkën e Strasburgut, tha se mungesa e një marrëveshjeje mes tyre do të kishte efekt negativ te shumë eurodeputetë, që pritet të votojnë mbi liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Pas udhëtimit të dy liderëve në Strasburg, kuptoj që opozita po merr pjesë në Parlament, por rezultati i vlerësimit të komisionit mbi procesin anëtarësues, pa llogaritur seriozisht situatën reale politike në Shqipëri, nuk mund të quhet i përfunduar, e nëse nuk ka marrëveshje, kjo do t’i bënte dëm vendit”, theksoi Kukan. Ky, vijoi Kukan, mendoj se është dhe mesazhi i qartë nga Parlamenti Europian, se pa këtë lloj marrëveshjeje, gjërat nuk do të ecin përpara. “Nuk mund të parashikoj sesi do të votojë PE nëse propozimi legjislativ i Komisionit për vizat mbërrin, ndërkohë që nuk kemi ende marrëveshje politike në Shqipëri. Por mendimi im është se një gjë e tillë do të ndikonte negativisht tek shumë eurodeputetë, nëse nuk do të kishte marrëveshje politike ndërkohë”, nënvizoi Kukan. Duke vlerësuar ndërprerjen e grevës së urisë nga opozita, si mesazh për të gjetur kompromis, Kukan shtoi se marrëveshja arrihet kur firmoset nga dy apo më shumë palë. “Vendimi u takon atyre të dyve. Ne u kemi thënë gjithçka mendonim për atë çështje që diskutohet. Greva e urisë që u ndërpre ishte një sinjal pozitiv nga opozita, si provë që ajo ka vullnet për të biseduar e për të pasur dialog, duke shpresuar një marrëveshje që mund të kthente vendin në normalitet. Marrëveshja është një dokument që firmoset nga dy apo më shumë palë, e në këtë sens them se po presim për të reja nga Tirana”, insistoi Kukan. Ai tha se shpreson sinqerisht se do të kemi ndonjë lajm që marrëveshja u arrit. Sepse shumë çështje kanë ngrirë, tha ai, e fakti se Zhozef Dol (President PPE) e Martin Shuls (President i APSDE) përfshinë prestigjin e tyre personal, duke u angazhuar plotësisht në tentativën për gjetjen e një marrëveshjeje, unë mendoj se këto janë prova fort të rënda në fakt, e nuk mund të imagjinoj se kjo iniciativë mund të dështojë. “Më pas do të ishte shumë e vështirë të imagjinoje se çfarë mund të vijonte”, u shpreh Kukan. Sipas tij, periudha e reflektimit është 2-3 javë, ndaj ende nuk është përcaktuar se kur do të mbahet takimi i dytë i nivelit “Crocodile”. Deklaratat e Kukan vijnë në një moment kur janë konsumuar 12 ditë nga afati 15-ditor i vendosur për negociatat mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, diskutimi për zgjidhjen e krizës politike ka bërë vetëm një hap përpara. Ai ka siguruar një seancë “dëgjimore” të të dyja palëve me ekipin e Parlamentit Europian që mbërriti para disa ditësh në Tiranë, me qëllim studimin e mundësive për kompromis. Përtej kësaj panorame, duket se kriza shqiptare po konservohet edhe më shumë në ritualin e përditshëm të deklaratave për shtyp, që shërbejnë si mjet komunikimi mes dy drejtuesve kryesorë në vend, Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut socialist, Edi Rama.
#