E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani dhe Rama: Drejtësi e organizuar kundër krimit

Takimi Kryeprokurorja priti dje ministrin e Drejtësisë: Prioritet, hetimi i korrupsionit dhe aseteve kriminale

Kryeprokurorja Ina Rama ka pritur dje në një takim pune ministrin e Drejtësisë Bujar Nishani, ku janë diskutuar rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit. Në takim kanë marrë pjesë të gjithë drejtuesit e prokurorive në rrethe, ndërsa nga Rama dhe Nishani është kërkuar që të ketë “një drejtësi të organizuar kundër krimit të organizuar”. Palët janë fokusuar edhe te prioritetet e akuzës dhe ekzekutivit, të cilat janë edhe sekuestrimi i aseteve me prejardhje kriminale.
Prioritetet kryesore të akuzës dhe ekzekutivit janë lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar, trafiqeve të të gjitha llojeve e pastrimit të parave, të sigurimit të kufijve, si dhe roli i prokurorisë në zbatim të këtyre angazhimeve. “Kjo nuk mund të arrihet pa rivendosur ritmin e përshpejtuar të punës në gjithë administratën qendrore, të ekzekutivit dhe pa bashkëpunimin ligjor të çdo institucioni të pavarur dhe ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit me institucionet e specializuara ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve”, thanë kryeprokurorja dhe ministri i Drejtësisë. Ndërsa u ra dakord që veprat penale kundër korrupsionit duhet të jenë prioritet për organet e prokurorisë, duke e konsideruar korrupsionin si gangrenë dhe asfiksues për funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë. Gjithashtu, rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit mbetet forcimi i disiplinës fiskale, zbatimi i plotë i ligjit, që do të sjellin efekte në reduktimin e ndjeshëm të asaj pjese të ekonomisë informale, që është e zezë dhe kriminale, gjë e cila nuk mund të realizohet pa angazhimin e prokurorisë. “Lufta kundër krimit që cenon jetën dhe shëndetin e personit, ka përbërë vazhdimisht një shqetësim serioz për shoqërinë. Në këtë kuadër, institucioni i prokurorisë duhet që të ndjekë një politikë të ashpër procedimi dhe gjykimi për të ndikuar në zbutjen dhe parandalimin e këtij fenomeni shumë negativ dhe me pasoja të rënda jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre, por dhe për sigurinë publike dhe shoqërinë në tërësi”, u tha në takim. Një tjetër prioritet i ekzekutivit është forcimi i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit midis institucioneve në funksion të parandalimit të krimit të organizuar. Ky i fundit duhet të parandalohet në momentin dhe kohën e duhur, pa sjellë pasoja të rënda për individin, shtetin e shoqërinë. Në fund të takimit, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, shprehu angazhimin për të përmbushur detyrimet ligjore dhe prioritetet e paraqitura nga qeveria, në luftë kundër kriminalitetit, duke rritur efektivitetin në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në emër të shtetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›