E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Plotësoni standardet për të hyrë në BE

08/12/2009  Kryeparlamentarja Topalli mbledh në një tryezë vendet e Evropës Juglindore për sigurinë

Berisha: Mafia ende problem serioz, nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar

Roli i shtetit ligjor si një kusht i domosdoshëm për zhvillimin demokratik dhe social, liria e shtypit dhe bashkëpunimi me gjykatat ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë u vlerësuan nga Parlamenti Evropian si kushte të rëndësishëm për vendet e Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, për përmbushjen e kërkesave për anëtarësimin në BE. Përfaqësuesi i Kryetarit të Parlamentit Evropian, njëkohësisht kryetar i Delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan, i prezantoi ato para pjesëmarrësve të konferencës rajonale “Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë për një anëtarësim të shpejtë të Evropës Juglindore në BE”, të mbajtur në Tiranë nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë.

Parlamenti Evropian

Për përfaqësuesin e Parlamentit Evropian, Kukan, hapi i anëtarësimit në BE nuk varet vetëm nga reformat e secilit prej vendeve që duan të jenë pjesë e kësaj familjeje, por varet edhe nga përparimi i proceseve integruese në rajon. Për këtë ai sugjeroi se si BE-ja, ashtu dhe vendet e tjera të rajonit duhet të intensifikojnë aktivitetet e tyre për t’u integruar në rajon, një pikë shumë e rëndësishme për të siguruar stabilitetin në Evropë. Ai vlerësoi gjithashtu të rëndësishme shmangien e çfarëdolloj procesi kthimi prapa dhe gjetjen e mënyrave për realizimin e reformave të domosdoshme. “Udhëheqësit politikë dhe qytetarët duhet të jenë të bindur se vendi i tyre po përpiqet seriozisht për anëtarësimin në BE për të pasur të gjitha të drejtat dhe detyrimet që nënkupton një gjë e tillë. Unë personalisht shpresoj se udhëheqësit tuaj do të arrijnë të realizojnë dhe të marrin vendimet e duhura për këtë qëllim”, - tha Kukan. “BE-ja, -përfundoi ai, - është një institucion ekskluziv dhe ju duhet të ngrini standardet për t’u bërë pjesë e këtij grupi.”

Angazhimet e qeverisë

Përveç delegacioneve të vendeve të Evropës Juglindore dhe të instancave të larta ndërkombëtare në konferencë ishin të pranishëm edhe kryeministri i vendit Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si dhe ministra të kabinetit qeveritar. Ndryshe nga përfaqësuesit e huaj, pjesëmarrësit e palës shqiptare e përqendruan fjalimin e tyre tek angazhimi i qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Në mënyrë të veçantë kryeministri Berisha përmendi ligjin më të fundit të miratuar nga Parlamenti kundër mafies, por pranoi gjithashtu se vendi ynë ka ende probleme serioze me mafien. “Lufta kundër krimit të organizuar vazhdon të përbëjë një përparësi madhore për qeverinë time. Ne e shembëm murin e krimit të organizuar, por sërish kemi probleme serioze me mafien”, - tha Berisha. Për realizimin e këtij prioriteti kreu i qeverisë vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar si një mënyrë efikase. “Bashkëpunimi me vendet mike, si Italia, Greqia dhe vendet përreth është i domosdoshëm, por i tillë është edhe njësimi i ligjeve me këto vende. Ne duhet të kemi ligje të njëjta, në mënyrë që mafiozët e goditur në Itali të mos munden të bëjnë transferta të pasurive të tyre në Shqipëri, por as në vende të tjera”, - veçoi Berisha, duke vlerësuar emergjente kompletimin me shpejtësi të të gjitha marrëveshjeve për suksesin e luftës kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›