E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita kur u këputën vargonjtë e diktaturës

08/12/2009  Më 8 dhjetor studentët të parët që ngritën krye ndaj komunizmit

Sot përkujtohet dita kur Shqipëria nisi rrugën e demokracisë

Ata që kanë jetuar në Tiranë në atë kohë mbajnë mend se data 9 dhjetor 1990 ishte një ditë e pasuar nga një shi që s’kishte pushuar tërë natën. Kryeqyteti dukej i fjetur, por shumë shpejt u përhap lajmi se një natë më parë kishte ndodhur diçka e madhe: në Qytetin Studenti, pikërisht natën e 8 dhjetorit, rreth orës 21:00, kishte nisur një revoltë, e cila fillimisht kishte të bënte me kërkesa ekonomike, por më pas rezultoi se kishte pasur dhe parulla kundër diktaturës. Shumë shpejt lajmi u shndërrua në kushtrim në të gjithë qytetin: ishte thyer një tabu dhe te njerëzit e lodhur nga ajo robëri e gjatë ishte hapur një ditë shprese. Shumë shpejt ata iu drejtuan Qytetit Studenti, por rrugët ishin bllokuar nga forcat e diktaturës, që i kishte tmerruar ideja e popullit që po zgjohej. Atëherë njerëzit iu kacavirren kodrave në mes të baltës, me erën e lirisë, por dhe me një ndjenjë frike në vetvete. Lart te godinat studentët, megjithëse të lodhur nga një natë më parë, nuk kishin gjumë. Për tërë natën ata kishin jetuar nën terrorin e bishës së kuqe, e cila, megjithatë, nuk i kishte gjunjëzuar dot. Nata e 8 dhjetorit ishte preludi i asaj çka do të ndodhte më pas. Shqipëria mbetej vendi i fundit komunist, ndërkohë që në mbarë Evropën Lindore diktaturat kishin dhënë shpirt, ishin rrëzuar muret që ndanin sistemet, ishin hapur kufijtë. Kjo natë u pasua nga të tjera, e të tjera, duke nisur kështu rrugën e gjatë të lirisë. Por nata e 8 dhjetorit mbeti në mendjen e të gjithëve si nata e idealeve demokratike. Ata studentë ishin heronjtë e parë, që guxuan dhe këputën vargonjtë, dhe kjo datë do të mbetet e pashlyer tek të gjithë ata që jetuan ato ditë. Sot është sërish 8 nëntori dhe Shqipëria ka të drejtë të festojë. Pavarësisht mangësive që pasuan tranzicionin tonë, sërish ajo që na ndan nga e kaluara s’ka të krahasuar dhe pishtari që ndezën ata studentë në atë natë ftohtë dhe të lagësht dhjetori nuk do të shuhet kurrë. Sot është dita e nderimit të tyre, 8 dhjetori do të mbetet ndër shqiptarë si dita kur shqiptarëve iu dha e drejta të ëndërronin se vendi i tyre do të bëhej si gjithë Evropa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›