E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Stad i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve”

08/12/2009  Meta në Pragë, takim me homologun çek

Gjatë bisedës u vlerësua progresi i Shqipërisë

Shqipëria dhe Çekia do të ngrenë në një stad më të lartë marrëdhëniet mes tyre sa i takon partneritetit të veçantë në rrafshin bilateral, ashtu dhe në drejtim të integrimit të mëtejshëm evropian të vendit tonë. Një konstatim i tillë erdhi dje në takimin mes zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta dhe homologut të tij çek Jan Kohout. Në kuadër të vizitës së tij në Pragë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta u prit dje në një takim të veçantë nga zëvendëskryeministrit dhe ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, zoti Jan Kohout. Gjatë takimit u diskutua mbi integrimin evropian të Shqipërisë dhe mbi thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë bashkëbisedimit Meta dhe Kohout i vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Çekisë si shumë të mira dhe shprehën vullnetin e ndërsjellë për t’i çuar ato në një nivel më të lartë si në planin bilateral, ashtu dhe në atë shumëpalësh. Nga ana e tij ministri i jashtëm Meta shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen çeke për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe për ndihmesën e dhënë gjatë aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që u pranua nga presidenca çeke e Unionit në prill të këtij viti. Ndërkohë dhe zëvendëskryeministri çek Kohout shprehu vlerësimin e tij për sukseset e arritura nga Shqipëria në drejtim të reformave dhe procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar 2009-n një vit historik për Shqipërinë. Gjithashtu gjatë këtij takimi Meta dhe Kohout ranë dakord për të ngritur në një stad më të lartë marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shprehur vullnetin për një partneritet të veçantë mes dy vendeve si në rrafshin bilateral, ashtu dhe në drejtim të integrimit të mëtejshëm evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›