E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti, Rama largohet kur Meta merr fjalën

08/12/2009  Kongresi i PSE-së qëndrim mbi situatën në Shqipëri

“Përplasje, bojkot, situatë e pakëndshme” mund të jenë fjalët që përmbledhtazi pasqyrojnë panoramën me të cilën dy partitë e majta shqiptare u përfaqësuan në kongresin e partive socialiste evropiane, që po zhvillohet në Pragë. E kjo për faktin se dhe gjatë këtyre punimeve kreu socialist Edi Rama ka mbajtur të njëjtin qëndrim që mban ndaj shumicës në vend: është larguar nga salla e kongresit në çastin që ka marr fjalën kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Ishte vetë kreu i LSI-së, njëkohësisht zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta që bëri me dije lidhur me situatën e krijuar në kongresin e PSE-së. Sipas Metës, largimi i Ramës nga salla kur ai kishte marrë fjalën ishte një shfaqje e turpshme. “Unë e ndoqa me shumë vëmendje zotin Rama gjatë fjalës së tij, ku qëndrimet ishin si zakonisht ato që mban në Tiranë dhe në politikën tonë të brendshme, pa argumente për bojkot dhe pa vullnetin e duhur për një qëndrim konstruktiv, që opozita të luajë rolin që i takon”, - vuri në dukje Meta gjatë fjalës së tij, ku bëri me dije veprimin e kryetarit socialist. Madje, në këtë linjë, sipas Metës, Rama as më shumë e as më pak ekspozoi natyrën e pozicionit që po mban që nga zgjedhjet e 28 qershorit e deri më sot. “Ishte për të ardhur keq gjesti jotelorant dhe jodemokratik i tij i largimit nga ky takim pune në çastin që unë fillova të mbaja fjalën time, fillova të ekspozoja edhe situatën në Shqipëri, por edhe politikën e Shqipërisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, - nënvizoi Meta sa i takon këtij incidenti. Ndërkohë që në takimin e posaçëm që kongresi i PSE-së zhvilloi për çështjet e Ballkanit u propozua një qëndrim mbi zhvillimet politike në Shqipëri. Në dokumentin që mori pëlqimin e të gjitha të partive në tryezë thuhej se “Kongresi i PES-së i bën thirrje kryeministrit të Shqipërisë dhe koalicionit qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit përmes një hetimi parlamentar që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë”. Njëkohësisht kongresi i PES-së i bën thirrje kryeministrit të Shqipërisë dhe koalicionit qeverisës të gjejnë një zgjidhje që do ti jepte fund krizës politike dhe do të mundësonte kthimin e Partisë Socialiste në Parlament. Edhe sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala, shprehu qëndrimin e tij lidhur krizën politike në Shqipëri. “Nga ana jonë ju garantoj se ne po punojmë ngushtësisht me socialistët për të konsoliduar sistemin politik që ti përgjigjet pritshmërie dhe nevojave të popullit, në mënyrë që edhe Shqipëria të mund të përballojë gjithë ato sfida globale që e presin. Mos harroni se ende na duhet që ti përgjigjemi siç duhet krizës financiare apo problemeve të tjera globale. Por mbi të gjitha duhet të jemi të aftë tu përgjigjemi nevojave e kërkesave të njerëzve të thjeshtë për punë, për një sistem efikas shëndetësor, për arsimim, si dhe të jemi të aftë të krijojmë një koncept të ri për një shoqëri të shëndetshme, koncept të cilin ne socialistët e mbrojmë”, - theksoi Ayala gjatë një interviste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›