E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku Ekstradohen në SHBA vëllezërit shkodranë

Fatbardha e Verjan Shtiza, iu dorëzuan autoriteteve amerikane në Rinas, 3 muaj pas arrestimit të tyre


Dy vëllezër shkodranë, tre muaj pas arrestimit nisen drejt SHBA-së ku dhe do të gjykohen. Fatbardh dhe Verjan Shtiza të moshës 36 dhe 30-vjeç janë ekstraduar ditën e djeshme drejt Amerikës pasi ishin arrestuar më dhjetor të vitit të kaluar në Shkodër për llogari të FBI-së. Kjo e fundit kishte shpallur në kërkim dy vëllezërit pasi dyshohej se ata trafikonin lëndë narkotike në Amerikë ku jetuan prej rreth tetë vjetësh. Burime nga policia e shtetit thanë se ndaj dy të arrestuarve Gjykata e Distriktit të Nju Xhersi, USA, ka lëshuar urdhrin e arrestit nr. 08-4190 për veprën penale të "Mbajtjes dhe shpërndarjes të lëndëve narkotike". Ndërkohë që pas arrestimit të dy vëllezërve në dhjetor të viti të kaluar në Shkodër, oficerët e FBI-së, kanë kërkuar të kenë të detajuar të gjithë veprimtarinë e dy vëllezërve Shtiza në qytetin e Shkodrës, që nga koha kur ata janë kthyer nga SHBA. FBI u kërkoi oficerëve të policisë së Shkodrës të interesohen për dy të arrestuarit mbi aktivitetin e tyre ekonomik në Shkodër dhe lidhjet shoqërore, pasi agjentët e FBI-së dyshonin se aktiviteti i tyre në trafikimin e lëndëve narkotike është zhvendosur nga SHBA në Shqipëri. Pas arrestimit në 5 dhjetor të vitit 2008, të dy vëllezërve Shtiza, Ministria e Drejtësisë, me datë 25 shkurt të këtij viti miratoi ekstradimin e tyre brenda datës 20 mars gjë e cila u bë e mundur në ditën e fundit të afatit që ka dhënë drejtësia Shqiptare. Ndërkaq, disa ditë më parë, policia kufitare e Shkodrës arrestoi në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, Gjergj Hajatin, i kërkuar gjithashtu nga autoritetet e FBI-së. Sipas policisë, ai ishte shpallur në kërkim nga Byroja Federale e Hetimeve, pasi akuzohej për mashtrime me kredi në shuma të mëdha. Ky i fundit ndiqej prej kohësh nga agjentët e FBI-së në të gjitha lëvizjet e tij ndërsa u kap në momentin që ai tentonte të kalonte kufirin për në Malin e Zi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›