E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE Svoboda propozon planin për zgjidhjen e krizës

Autori i Lajmit: Redaksia

Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist në PE, Hannes Svoboda i bën thirrje opozitës të kthehet në Kuvend dhe aty të vazhdojë betejën për transparencën e zgjedhjeve. Deklarata e tij ka ardhur pikërisht nga selia e Partisë Socialiste pas një takimi që ai zhvilloi me kreun e opozitës Edi Rama. Svoboda madje propozon një strategji të saktë sipas të cilës PS duhet të hyjë në Kuvend dhe të paraqesë aty një projektligj i cili kërkon hetim të zgjedhjeve edhe përmes hapjes së kutive. Plani Svoboda, parasheh që PS të paraqesë në Kuvend një projektligj i cili të kërkojë hapje të kutive dhe pastaj KE të mbështesë propozimin duke ju drejtuar Komisionit të Venecias. Ky plan mund të çojë të enjten opozitën në Kuvend duke djegur përpjekjet e Qeverisë për të eksportuar krizën brenda opozitës por nga ana tjetër do të zgjasë krizën politike duke motivuar opozitën të jetë refuzuese ndaj çdo jete parlamentare normale, derisa të realizojë misionin e saj politik për hapjen e kutive. Svoboda ka shtuar se për gjetjen e një rrugëzgjidhje kompromisi nuk mund të jetë vetëm nga opozita por duhet të jetë edhe nga ana e Qeverisë. “Lufta për transparencë është një çështje e së ardhmes së vendit dhe jo e PS-së”,- theksoi Svoboda por shtoi se nuk është puna e ndërkombëtarëve të ndërhyjmë në punët e brendshme.
Deklarata
Nënkryetari i Grupit socialist të Parlamentit Evropian, Hannes Svoboda shprehet i bindur se hyrja e Partisë Socialiste në Kuvend është pjesë e luftës së saj për transparencë por theksoi se gjithashtu duhet të ndryshohet situata që të mos ketë më parregullsi në zgjedhje. Prandaj Svoboda sugjeroi rikthimin e deputetëve socialistë në Kuvend ndërsa i bëri thirrje qeverisë të bëjë lëshime. Ai theksoi gjithashtu se opozita nuk mund të ndalë luftën për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Është mjaft e dukshme që Partia Socialiste nuk mund të ndalë luftën për transparencë. Mesa kam folur me anëtarët e delegacionit të Këshillit të Evropës, ata nuk e përjashtonin hapjen e kutive për të bërë transparencën e zgjedhjeve”, - theksoi Svoboda. Nënkryetari i Grupit socialist të PE theksoi se hapja e kutive është mënyra më e mirë për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve, ndërsa shtoi se drejtimi në Komisionin e Venecias mbetet rruga e duhur për të zgjidhur këtë çështje. “Parlamenti i Asamblesë së KE-së të kërkojë në Komisionin e Venecias që kutitë të hapen për të mos pritur muaj të tërë, por për ta bërë këtë çështje mjaft urgjente. Besoj dhe Qeveria do të jetë bashkëpunuese për të sqaruar legjitimitetin e zgjedhjeve”, - u shpreh Svoboda. Ndërkaq ai nënvizoi se kërkesa e opozitës shqiptare për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve nuk është thjesht një çështje e PS-së por siç tha ai një çështje e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për vendimet e gjykatave ndaj kërkesave të opozitës, nënkryetari i grupit Socialist të PE-së tha se gjykatat nuk kanë thënë se nuk lejohet hapja e kutive.

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›