E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu, kritika gjykatave: “Po falni korrupsionin”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu ka bërë kritika të forta për punën e togave të zeza, në takimin me kryetarët e gjashtë gjykatave.
Në raportin e KLD-së, nënkryetari i këtij institucioni është shprehur me nota kritike ndaj gjykatave për punën e tyre në lidhje me dosjet e korrupsionit. Në analizë të vendimeve të dhëna gjatë vitit të shkuar 2009 për çështjet e korrupsionit, KLD ka arritur në përfundimin se gjykatat e apelit në përgjithësi kanë ulur masat e dënimit për të pandehurit e akuzuar për korrupsion.
Kreshnik Spahiu
Po kështu, gjykatat e shkallës së dytë kanë lehtësuar edhe masat e sigurimit edhe pse përgjithësisht gjykatat e rretheve kanë dhënë “arrest me burg” ndaj personave të akuzuar për korrupsion. Nënkryetari i KLD-së ka kërkuar ndryshimin e qëndrimit të gjykatave në lidhje me këto çështje duke thënë se kërkohet ashpërsimi i politikës së dënimit për veprat e korrupsionit por edhe për krimet tjera penale në tërësi. Një tjetër kritikë e bërë nga numri dy i KLD-së, ka lidhje me thirrjen që ai u ka bërë gjyqtarëve që të mos shkelin të drejtat e palëve në gjykim. “Mendimet e kundërta brenda trupit gjykues janë të domosdoshme, por, kur këto mendime juridike të kundërta shoqërohen me praktika të diferencuara në gjykatat më të larta për një njëjtën natyrë konflikti; pasoja për të cilat është cenimi i vendimeve në gjykatat më të ulëta, dhe kur ky fenomen merr shtrirje, është rasti për të vënë përballë gjykatat e dy niveleve për të diskutuar”, tha Spahiu.
Vendimet administrative
Spahiu shtoi më tej duke thënë se, më duhet ta bëj një kritikë: gjykimet administrative, të cilat janë të shumta në gjykatën e rrethit Shkodër duhet të përfundojnë për një muaj sipas Kodit të Procedurës Civile. Kjo pothuaj nuk ndodh asgjëkund, aq sa mund të themi se është ligjëruar pamundësia e zbatimit të ligjit në këtë pjesë dhe për pasojë nuk ndodh as në Shkodër, që një gjykim administrativ të jetë në norma të tilla rekordi. Nga ana tjetër, nuk do të thotë që gjykimet administrative të kthehen në konflikte të përgjumura, ku shpenzohen 10 seanca nga gjykata për të pritur prova nga të tretët që nuk mbërrijnë as në kohë as përtej kohës. Nëse administrata publike vendore nuk ju përgjigjet sipas kërkesës tuaj për të servirur prova në gjykim, përdorni çdo instrument juridik që keni në dorë, gjobitini dhe i kërkoni ekzekutimin Zyrës së Përmbarimit që përgjegjësia të mos ju faturohet juve.

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›