E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i referimit QSUT, urdhër i ri për urgjencat

Autori i Lajmit: Redaksia

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nxjerrë një urdhër të veçantë për mirëfunksionimin e sistemit të konsultave dhe urgjencës. Duke pasur parasysh numrin e madh të pacientëve në Urgjencën e spitalit të sëmundjeve të Brendshme, dhe Reanimacionin e Kardiologjisë, drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka firmosur një urdhër, i cili ka shkuar ditën e djeshme tek të gjithë shefat e pavijoneve. Pika të rëndësishme të këtij urdhri janë evitimi i rasteve të pranuara në urgjencë, të cilët nuk justifikojnë kriteret e urgjencave mjekësore sekondare apo terciare. Drejtoria e QSUT-së do të kontrollojë për çdo rast shtrimi urgjent, duke evidentuar mjekun dërgues, mjekun pranues, kartelat e shtrimeve që dërgohen nëpër shërbime të ndryshme dhe, sidomos, përcaktimin dhe argumentimin e diagnozës së të sëmurit.
“Të gjitha këto pavijone, si shërbimi i urgjencave, reanimacioni i Kardiologjisë, dhe shërbimet e Kardiologjisë janë të detyruara që në fund të çdo jave, të sjellin në Drejtori informacion të detajuar për pacientët e shtruar. Në bazë të këtij informacioni, do të shihet se sa është zbatuar sistemi i referimit dhe urdhri nga mjekët. Në rast se konstatohen shkelje, Drejtoria do të marrë masa administrative ndaj tyre”,- ka nënvizuar Dashi. Në bazë të këtij urdhri, për përmirësimin e shërbimit të Urgjencës është garantuar shërbim 24- orësh i laboratorit të analizave dhe Imazheria konvencionale. Po kështu, pavijonet e Kardiologjisë (kati i parë, kati i dytë) duhet të rezervojnë çdo ditë të paktën 3 shtretër për çdo pavijon për të sëmurët e Urgjencës së spitalit Nr 1. Pavijonet e tjera të sëmundjeve të Brendshme duhet të kenë çdo ditë në dispozicion të Urgjencës, të paktën 2 shtretër për pavijon. “Marrja e këtij urdhri ishte një domosdoshmëri, pasi zbatimi i sistemit të referimit solli uljen e numrit të konsultave dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në Urgjencë. Ky urdhër do të sjellë mirëfunksionimin e sistemit të urgjencës, pasi parashikon që asnjë nga pacientët të mos qëndrojë më shumë se 24 orë i shtruar në Urgjencë”,- është shprehur drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›