E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, ndryshimi i moshës sipas kategorive të punës

Autori i Lajmit: Redaksia

Mosha e pensioneve, për çdo vit, në datën 1 korrik rritet me gjashtë muaj, për të krijuar një harmoni mes brezave dhe viteve të lindjes, në mënyrë që të arrihet mosha 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Skema e rritjes së moshës së daljes në pension parashikon që deri në vitin 2014 të ketë përfunduar rritja maksimale e moshës së pensionit për punët e kategorisë së dytë dhe të tretë. Ndërsa për punët e kategorisë së parë rritja e moshës së daljes në pension do të vijojë në mënyrë graduale edhe për rreth tetë vjet të tjerë. Konkretisht, për përfituesit e rinj, që janë në prag të ligjërimit të së drejtës së pensionit, për këtë vit arrihet kur mbushin moshën 58 vjeç për burrat dhe 53 vjeçe për gratë (për kategorinë e parë). Ndërsa për kategorinë e dytë mosha e daljes në pension për burrat është 63 vjeç dhe për gratë 58 vjeçe e 6 muaj. Për kategorinë e tretë mosha e daljes në pension për burrat është 64 vjeç, ndërsa për gratë 59 vjeçe. Kushtet për daljen në pension gjatë vitit 2011-2012 përcaktojnë një tjetër rritje të moshës së përfitimit me një vit më shumë për gratë, për të tria kategoritë e punëve. Në të njëjtën linjë do të vijojë edhe rritja e moshës për burrat, ku rritja maksimale do të përfundojë më 2013-2014 për punët e kategorisë së dytë dhe të tretë. Ndërsa për profesionet që përfshihen në grupin e parë rritja do të vijojë deri më 2023.

Profesionet e ndara në kategori
Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës.
Kategoria e parë
Në punë të kategorisë së parë ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë, ose në punime të tjera të nëntokës; puna e civilëve dhe ushtarakëve të aviacionit dhe të nëndetëseve, si ajo e komandantit të aeroplanit, navigatorëve, mekanikëve, radiotelegrafistëve dhe radiotelefonistëve; disa lloje punësh në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, të kromit, të fonderive, farkëtarëve, palombarëve, saldatorëve dhe elektrosaldatorëve në rezervuarë, kulla dhe cisterna. Gjithashtu, puna e bërë nga artistët e baletit, akrobatët e gjimnastët e cirkut, solistët e operës dhe ansambleve shtetërore, muzikantët e veglave të frymës, artistët e valleve të ansambleve, koristët e operës përfshihen në kategorinë e parë. Po kështu, në kategorinë e parë përfshihen edhe disa punë në industrinë ushtarake, kimike, të naftës, në prodhimin e baterive, në metalurgjinë e zezë, në ferro-krom, në miniera e gjeologji etj.
Kategoria e dytë
Në punë të kategorisë së dytë për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët, ngarkuesit e mineralit, ekskavatoristët, buldozeristët, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji, në industrinë e gomës, të naftës e gazit, në centralet elektrike, në hekurudha, në prodhimin e çimentos, të xhamit e qelqit; mbi 45 lloje punësh në industrinë tekstile, në industrinë e lëkurëve, të drurit e letrës, të duhanit e cigareve, në institucionet shëndetësore, në ndërtim, mbi 20 lloje punësh në poligrafi, në transportin ujor e peshkim, ndërlidhje, farkëtari, femra dhe meshkuj ushtarakë të shërbimit aktiv, veterinerë me arsim të lartë; 18 profesione në arsim, kulturë e sport, si edukatorë në kopshtet e fëmijëve, mësues e pedagogë, trajnerë profesionistë. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë, kirurgë, psikiatër, infermierë të reparteve infektive etj.
Kategoria e tretë
Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj.

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›