Antonio Piovanelli: Parashikimet profetike të Pasolinit
Poezitë autobiografike të Pasolinit e kanë ngjitur në skenat e disa teatrove në botë. Së fundmi edhe në Tiranë. Antonio Piovanelli i ka kushtuar gjithë performancën fizike dhe zërin një takimi të parë të poetit, shkrimtarit dhe regjisorit italian me publikun shqiptar. I famshëm, por shumë i diskutuar, njohja e Pasolinit në Shqipëri ka qenë më shumë rastësore. Shpalosjes së kësaj figure i ka shërbyer edhe referimi i mbajtur në Bibliotekën Kombëtare nga kritiku Roberto Chiesi. I shoqëruar në fizarmonikë nga artisti shqiptar Elton Balla, aktori dhe regjisori e ka kthyer në një spektakël teatral recitimin e poezive të Pasolinit. Piovanelli, i cili prej më shumë se 35 vitesh i jep zë edhe Dantes apo Virgjilit, i bashkohet mendimit se parashikimet e Pasolinit janë gati profetike. "E kam njohur dhe e kam dashur veprën e tij që kur ai ishte gjallë, para se ta vrisnin në vitin 1975. Me kalimin e viteve kam zbuluar vazhdimisht dimensione të reja", thekson Piovanelli. Teksa Danten e konsideron si njeriun e parë modern të historisë së Evropës, atë që gjeti gjuhën t‘u fliste të gjithë lexuesve, të bënte një autobiografi dhe biografi kritike të kohës që jetoi, Pasolinin e sheh në po të njëjtën rrugë. "Pasolini nuk e fsheh jetën e tij. E shkarkon atë gati si një provokim për botën e epokës së tij. Ai, jo vetëm që ishte kritik, por sa më shumë kalon koha, aq më shumë e kuptojmë se ai shikonte nga e ardhmja", thekson Piovanelli. Poezitë që ka zgjedhur të recitojë janë gati një autobiografi e Pasolinit. "Në to ai tregon veten, jetën, problemet, raportin me fuqinë, vetveten dhe shoqërinë, raportin me të ëmën. Kam kërkuar një tip poezie që ai vetë e ka lëvruar shumë; e thjeshtë dhe e kuptueshme për publikun. E kisha si qëllim që të mos zgjidhja vargje hermetike, por ato që shkojnë më lehtë te publiku, që arrijnë ta emocionojnë përmes ekzistencës së njeriu-poet, me dramat, ëndrrat, pasionet dhe kritikën e tij". Piovanellit i pëlqen "lakuriqësia" e Pasolinit. "Ishte njeri me njohuri të mëdha. Poezia ishte jeta e tij. Ai nuk u fsheh asnjëherë. Problemet që e shqetësonin si njeri ia përcillte edhe publikut, sepse ishte i bindur se qeniet njerëzore kanë të njëjtën problematikë, të njëjtat vështirësi. Në Shqipëri vë re një tendencë të kundërt. Në rrugët e Tiranës ecin njerëz që shohin vetëm drejt, shohin rrugën e tyre dhe nuk përpiqen të kuptojnë të tjerët. Nuk janë vëzhgues të mëdhenj. Më duken njerëz të mbyllur", thekson Piovanelli. Pasolini ishte një njeri plot kundërshti. Guxonte që krijimtarinë e tij ta shtrinte në territore të pashkelura më parë e në këtë mënyrë edhe të provokonte. E bënte jo vetëm në poezi, në pjesët teatrale, por edhe në filmat që realizoi. Piovanelli kujton në këtë rast "Ungjilli sipas Mateut", që shënon 45 vjet nga koha e krijimit. "Ishte një realizim krejtësisht i ri. Pasolini përfshiu miqtë e tij në këtë film, ndërsa të ëmën e vuri në rolin e Magdalenës. Askush nuk e kishte bërë më parë një gjë të tillë. Pasolini ishte njeri me kundërshti të mëdha. Ishte fetar dhe marksist. Në poezitë e tij flet qartë për besimin, atë të kohës së tij. Sot njerëzit e dinë që nuk ekziston një botë e përtejshme, por shtiren për këtë gjë", thekson aktori. Piovanelli nuk ndalet vetëm te poezitë. Ka punuar më parë me një nga 6 pjesët teatrale të Pasolinit, "Afabulacione", dhe së shpejti do të realizojë një të dytë. "Është një tekst që e njoh mirë dhe shpresoj që me kthimin në Itali të vendos disa data të sakta", shprehet aktori dhe regjisori, i cili është i gatshëm të vazhdojë rrugëtimin me Pasolinin. Ai tregon se sot gazetat dhe mediat italiane flasin vazhdimisht për poetin, shkrimtarin, regjisorin. Për më tepër e shohin si një pikë referimi për probleme që ai i kishte parashikuar këtu e 30 vjet më parë.