E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, mbetjet spitalore në kazanët e plehrave

Mbetjet spitalore, në kundërshtim me ligjet dhe standardet europiane, hidhen ku të munden. "Fiks Fare" duke parë kazanët e plehrave me gazra, age dhe gjak, rreth spitaleve u interesua dhe pyeti se, ku i hedhin spitalet mbeturinat e tyre.
Gazetari i "Fiks Fare" intervistoi doktorin e shkencave, n/kolonel Nuredin Fejziun, specialist në Institutin e Kërkimeve Mjekësore, në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Dr.Fejziu tha se Spitali Ushtarak ka 230 shtretër dhe sipas përllogaritjeve dalin rreth 60-70 kg mbetje biologjike. Këto mbeturina deri më 2006-ën i digjnim, ndërsa tani i çojmë pjesërisht në QSUT me të cilën kemi lidhur kontratë. Mbetjet si (organet, garzat, aget) mblidhen çdo ditë dhe dërgohen të gjitha bashkë, pjesërisht këto materiale në qendrën spitalore "Nënë Tereza".
Ndërkohë, gazetari i "Fiks Fare" u interesua edhe në QSUT, dhe pyeti nëse pranë QSUT-së mbërrinin mbetje spitalore nga spitale apo klinika të tjera. Nëndrejtori i QSUT-së, Xheladin Draçini, tha se: "mbetjet spitalore vijnë jo nga spitalet, por nga institucione që janë edhe private, ku në bazë të ligjit u ofrojmë këtë shërbim duke përbërë dhe të ardhura dytësore për qendrën spitalore. Por sasia është shumë e vogël. Sasia e tyre nuk i kalon 10-15 kg në ditë gjithmonë dhe këta nuk i sjellin çdo ditë. Kuptohet se ato janë klinika të vogla që nuk kanë sasi të mëdha të këtyre mbetjeve". Kur nëndrejtori Draçini është pyetur: A ju vijnë mbetje spitalore nga Sanatoriumi apo Spitali Ushtarak? Draçini është përgjigjur se: "Me thënë të drejtën, jo".
Nga vëzhgimi i "Fiks Fare" në repartin e ORL, është vënë re që mbetjet spitalore si age, shishe uji bosh, janë hedhur në dy kazanë të vegjël. Ndërkohë, në repartin e gastro-hepatologjisë gjendja është shumë më e keqe, kazanët janë pa kapakë dhe vizitorët rrinë afër këtyre mbeturinave.
Për problemin e këtyre mbetjeve dhe mënyrën se si procedohet me to, "Fiks Fare" ka pyetur kryetarin e degës teknike, z. Bujar Struga, në spitalin pneumatologjik, "Shefqet Ndroqi". Z.Struga tha se mbetjet në këtë spital janë rreth 30-35 kg në ditë. Praktika e deritanishme është që, nëpërmjet një firme kontraktore mbetjet spitalore depozitohen në anën lindore të spitalit dhe aty transportohen nëpërmjet kësaj firme. Më pas, sipas njoftimeve, mbetjet spitalore çohen në Sharrë. Kjo praktikë ka vite që bëhet, nuk çohen në QSUT.
Ndërkohë, përveç spitaleve dhe klinikave mjekësore private vetëm në Tiranë janë rreth 500 klinika dentare dhe 280 klinika laboratorike. Ǒbëhet me mbetjet e këtyre klinikave, si administrohen dhe ku hidhen ato?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›