E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset në Shqipëri, 45% të fitimeve për taksa

Shqipëria nuk ka bërë asnjë përmirësim të dukshëm në klimën e të bërit biznes gjatë vitit të fundit, ndërkohë që barra fiskale reale mbi bizneset ka mbetur në nivele të larta, pavarësisht mburrjeve të pafundme të qeverisë për "kthimin e Shqipërisë në vendin me taksa më të ulëta në botë", bëhet i ditur nga raporti "Të bërit biznes 2010" i Bankës Botërore. Shqipëria u rendit në vend të 82-të në botë për këtë vit nga vendi i 86-të që ishte vitin e kaluar. Ngritja në renditje nuk reflekton aq shumë përmirësim të klimës, sesa ndryshim në metodologjinë e raportit. Njësoj si vitin e kaluar, marrja e lejeve të ndërtimit, pagimi i taksave dhe punësimi i punëtorëve, janë treguesit më problematikë në Shqipëri. Vendi ka shënuar përmirësime të forta në mbrojtjen e investitorëve, treguesin e vështirësisë në fillimin e biznesit. Mbrojtja e investitorëve është përmirësuar teorikisht nga ligji i ri për shoqëritë tregtare miratuar në vitin 2007, si dhe nga themelimi i Qendrës së Regjistrimit të Biznesit. Eficenca në praktikë e këtyre dy masave nuk është parë ende dhe as nuk është matur nga Indeksi i Të bërit Biznes. Shqipëria mbetet një vend shumë prapa fqinjëve të vet në klimën e biznesit, pavarësisht disa përmirësimeve. Vetëm Kroacia, Kosova dhe Bosnja janë renditur më keq se ne, ndërkohë që fqinji ynë lindor, Maqedonia, e cila konsiderohet si konkurrente e Shqipërisë në thithjen e investimeve të huaja, gjendet në vend të 27-të, pra shumë më përpara.
Shqipëria është renditur shumë mirë në treguesin e lehtësisë së eksportimit dhe importimit, renditje që i dedikohet zbatimit të sistemit Asiccuda në pikat doganore, si dhe faktit që Shqipëria është një vend me dalje në det. Kostoja e transportit për eksport është aktualisht 725 dollarë për kontejner. Mesatarja e Europës Lindore është 1700 dollarë dhe ky ndryshim i dedikohet thjesht faktit se shumica e vendeve të Europës Lindore janë pa dalje në det, apo i kanë qendrat e prodhimit larg bregdetit.

Taksimi

Gjatë vitit të kaluar, bizneset në Shqipëri shpenzuan 244 orë pune menaxheriale dhe u morën me këtë çështje plot 44 herë, ndërkohë që shpenzuan 45 për qind të fitimeve të veta për të mbuluar pagesën e taksave. Vendosja e taksës së sheshtë nuk u mor parasysh nga analizuesit e Bankës Botërore, pasi ekspertët kanë kërkuar më shumë kohë për të parë se çfarë efekti do të japë një masë e tillë në kushtet reale të biznesit. Sipas qeverisë, taksat në Shqipëri janë "përgjysmuar" në shumë raste gjatë katër viteve të fundit, por në realitet, kjo ulje nuk ndjehet. Vlerësuesit e Bankës Botërore marrin në analizë një kompani shembull me të ardhura sa 150 herë PBB për frymë dhe me pesëmbëdhjetë të punësuar për të parë se sa nga fitimet e kompanisë shkojnë për taksa. Sipas tyre, niveli i taksave ka qenë njësoj gjatë viteve të fundit, pavarësisht "përgjysmimeve" të deklaruara nga qeveria.
Problemi më i madh në Shqipëri gjithsesi edhe për këtë vit mbetet burokracia e tmerrshme që haset në marrjen e një leje ndërtimi. Shqipëria është e listuar e 173-ta në këtë tregues nga 183 vende të marra në analizë. Në Shqipëri kërkohen 331 ditë dhe 24 procedura për të marrë leje ndërtimi.

Kritikat

Indeksi i Të Bërit Biznes i Bankës Botërore kritikohet kryesisht për faktin se bazohet gjerësisht në situatën ligjore të një vendi, pa marrë parasysh realitetin joligjor. Kjo gjë sipas kritikëve bën që vlerësimet të mos jenë shumë domethënëse apo të sakta. Për shembull, Shqipëria është renditur në vend të 15-të në botë për treguesin e mbrojtjes së investitorëve, gjë që i dedikohet tërësisht kuadrit ligjor, por jo zbatimit praktik të këtyre ligjeve. Një studim financiar nga qeveria e Norvegjisë nënvijëzon dobësi të mëdha metodologjike në këtë indeks, si dhe vëren faktin se qeveritë mund të kryejnë ndryshime ligjore në tavolinë për të marrë renditje më të lartë, por kjo gjë nuk e ndryshon shumë klimën reale në të cilën vepron një biznes. Sipas ekspertëve, qeveritë shohin se çfarë mund të ndryshojnë nga pikëpamja ligjore dhe pas kësaj shpallen kampionë të reformave. Pikërisht kjo gjë ndodhi me Shqipërinë vitin e kaluar. Ndryshimi i disa ligjeve e shpalli vendin kampion botëror të reformave, por realiteti faktik nuk u mor në diskutim. Banka Botërore është vendosur nën kritika gjithashtu edhe për mënyrën e grumbullimit të informacionit për vendet e listuara. Zyrat vendëse të konsulencës, të cilat punësohen nga BB për të kryer analizimin, kanë shpesh lidhje biznesi apo lidhje politike me qeveritë, apo kanë ndjenja nacionaliste për vendin e vet dhe janë të prirura për rrjedhojë të japin informacion pozitiv.
Për më tepër, vendet me kulturë të dobët demokratike e kanë më të lehtë të bëjnë ndryshime ligjore, sesa vendet perëndimore. Kështu, lehtësimi i kushteve ligjore të pushimit nga puna të punonjësve mund të bëhet lehtë dhe pa debate në vendet me të ardhura të ulëta, ndërkohë që një ndryshim i tillë mund t‘i nxjerrë francezët në protesta masive.
Indeksi i Lehtësisë së të Bërit Biznes u themelua në vitin 2001. Që nga ajo kohë, metodologjia e përdorur ka ndryshuar vazhdimisht me qëllim që të përshtatet me realitetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›