PE,do të diskutojë rezolutën për Kosovën

Bashkimi Evropian pritet të deklarohet sot rreth njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çështje për të cilën ende ka mospajtime brenda BE-së, ka bërë të ditur Parlamenti Evropian, i cili do të shqyrtojë rezolutën për Kosovën. Parlamenti Evropian, gjatë mbledhjes në Strasburg, do të ftojë Këshillin e Ministrave dhe Komisionin Evropian të deklarohen rreth zhvillimeve në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt të vitit të kaluar. Qëndrimet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian do t'i paraqesë Mirek Topolanek, kryeministër i Çekisë, njëherësh kryesues i BE-së, si dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Diskutimet rreth projektrezolutës për Kosovën, e cila është hartuar nga deputeti holandez, Joost Langendijk, do të mbahen sot pasdite - ndërsa miratimi i saj mund të shtyhet për të enjten - nëse kërkohet më shumë kohë për diskutime.