E Diel, 1 Nëntor 2026

Interpoli çon në SHBA vëllezërit shkodranë dhe ekstradon nga Spanja një trafikante



TIRANË - Dy vëllezër shkodranë, të arrestuar për llogari të FBI-së në qytetin e Shkodrës, janë ekstraduar dje në mëngjes drejt SHBA-ve, ndërsa është ekstraduar nga Madridi i Spanjës një 24-vjeçare e dënuar për “trafikim të të miturave”. Fatbardh dhe Verjan Shtiza, përkatësisht 37 dhe 30 vjeç, nga qyteti i Shkodrës, do të gjykohen në Nju Xhersi për veprën penale të “mbajtjes dhe shpërndarjes të lëndëve narkotike”. Dy vëllezërit u arrestuan në qytetin verior të Shkodrës më 4 dhjetor të 2008, me qëllim ekstradimin e tyre drejt SHBA-ve. Në datën 24.06.2008, Gjykata e Distriktit të Nju Xhersit ka lëshuar urdhrin e arrestit nr. 08-4190 për këta shtetas. Ministria e Drejtësisë, me datë 25.02.2009, miratoi ekstradimin si dhe kryerjen e ekstradimit brenda datës 20.03.2009. Interpol Tirana ekstradoi dy ditë më parë kryeqyteti i Spanjës një 24-vjeçare nga qyteti i Beratit, e cila është dënuar për trafik të të miturve. Sipas njoftimit të policisë, ekstradimi i Valmira Mahmutajt është bërë mbrëmë rreth orës 23:20 minuta nga Madridi i Spanjës. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr. 34, datë 12.09.2006, e kishte dënuar 24-vjeçaren me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të të miturve”, parashikuar nga neni 128/b 3 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Vendimi ishte marrë pasi në datën 09.12.2004, dy të mitura A. K., në atë kohë 13 vjeçe, dhe M. E., lindur në atë kohë 14 vjeçe kishin bërë kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat. Ato kanë deklaruar se shtetasja Valmira Mahmutaj në bashkëpunim me persona të tjerë, nga qyteti i Sarandës kishin tentuar të kalojnë dy të miturat në Greqi dhe më pas në Itali. Arrestimi i 24-vjeçares u bë më 8 nëntor 2007, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Madridin.

Zbardhet grabitja me armë, arrestohet një nga të dyshuarit

Tiranë - Policia ka mundur të zbulojë një vjedhje me armë të ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se në kuadër të operacionit policor “Ura 1”, janë marrë një sërë masash operative, duke mbajtur nën ndjekje të vazhdueshme autorët e dyshuar të kësaj tendence, me qëllim dokumentimin dhe kapjen në kohë të tyre. Kështu Seksioni kundër Vjedhjeve me Dhunë, Armë dhe të Shkatërrimit të Pronës pranë saj, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vjedhjes me armë e ndodhur në Vaqar në dhjetor të vitit 2008. Autor i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë Shkëlzen Sherri, 30 vjeç, banues në Lezhë, i proceduar më parë në Itali për veprën penale të “vjedhjes”. Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhrin e ndalimit të tij pasi akuzohet se është autor i vjedhjes me armë të banesës në pronësi të një shtetasi, ngjarje kjo e ndodhur më datë 16 dhjetor 2008 në Vaqar.

21 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›