Borë nga veriu në jug, bllokohen disa akse rrugore
Tiranë - Rikthehet moti i keq, me reshje shiu dhe dëborë në të gjithë vendin. Temperaturat janë ulur ndjeshëm orët e fundit, ndërsa sasia e dëborës ka sjellë probleme dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore. Reshjet e dendura të borës në juglindje kanë bërë që aksi Korçë-Pogradec të jetë i pakalueshëm për momentin. Trashësia ka arritur në 10 cm, ndërsa fshatrat Dardhë, Liqenas dhe Vithkuq janë izoluar. Sipas informacioneve, të pakalueshme janë akset Korçë-Kolonjë dhe Korçë-Kapshticë. Janë vënë në punë borëpastrueset, që po punojnë për zhbllokimin e rrugëve. Reshjet bore kanë nisur dhe në Gjirokastër, por nuk ka të dhëna për zona të bllokuara.
Reshjet kanë bllokuar edhe disa zona malore në Elbasan. Vështirësi paraqet Qafa e Kërrabës, që lidh Elbasanin me Tiranën, ku trashësia ka arritur deri në 30 cm. Në këtë aks qarkullimi i makinave është vështirësuar. Në Qafë-Kërrabë lëvizja e mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë. Borë të dendur nga orët e para të mëngjesit dhe në orët në vazhdim të paradites ka pasur edhe në veri, sidomos në Pukë, kurse në Bulqizë kalimi kryhet me vështirësi.
Bllokimet
Rreth 20 persona kanë mbetur të bllokuar në fshatin Kurvelesh të Tepelenës, si pasojë e reshjeve të dendura të borës. Të 20 personat ishin nisur nga Tirana dhe Fieri për të marrë pjesë në varrimin e foshnjës njëvjeçare që humbi jetën dje pas rënies së zjarrit në banesën e Aleksandër Begës, në fshatin Lekdush të Tepelenës. Situata në aksin Tiranë-Elbasan është rënduar së tepërmi si pasojë e reshjeve të borës që i kanë kaluar 30 cm trashësi. Në Qafë-Kërrabë ishin bllokuar mbi 100 automjete që ishin nisur nga qytete të ndryshme në drejtim të Tiranës e anasjelltas në atë të Elbasanit. Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka vënë në punë borëpastrueset, por bora dhe era nuk lejojnë pastrimin e plotë të asfaltit. Janë dashur 2 orë që të normalizohej situata në Qafë-Kërrabë si pasojë e motit të keq. Punëtorët e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve kanë mundur të pastrojnë borën dhe të bëjnë të funksionueshëm aksin rrugor që lidh Tiranën me Elbasanin. Aksi kalohej me zinxhirë, ndërsa forca të Policisë Rrugore kanë ndihmuar në orientimin e drejtuesve të mjeteve.
Përmbytje në Fier dhe Tiranë
Moti i keq duket se ka shkaktuar jo pak probleme edhe në rrethin e Fierit. Reshjet e dendura të shiut, që kanë rënë me intensitet të lartë, kanë bërë që të dalë nga shtrati lumi Gjanica. Për pasojë është përmbytur tregu industrial i këtij qyteti, i cili ndodhet përgjatë lumit Gjanica. Gjithashtu përmbytje ka pasur edhe në disa shtëpi në lagjen “Afrimi i Ri”, e cila është një lagje periferike e qytetit të Fierit. Uji ka bllokuar edhe autostradën Lushnjë-Fier në komunën Mbrostar dhe për pasojë kanë mbetur të bllokuar 200 mjete në hyrje të qytetit të Fierit. Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur rreth 70 shtëpi private në lagjen “Kombinat” të kryeqytetit, në Rrugën e Qelqit.
Vlorë dhe Durrës, bllokohet puna në port
Burime nga Drejtoria portuale e Vlorës bënë me dije se "për shkak të stuhisë dhe shiut, dy tragetet e linjës me Brindisin u ankoruan me vështirësi dhe pak minuta pas përpunimit dolën në rad për të parandaluar përplasjen me kalatat”. E njëjta masë u zbatua edhe për 5 mjete të tjera lundruese transporti, që ndodheshin në port, të cilat rrezikoheshin për shkak të erës së fortë dhe dallgëve, që kanë arritur në 5-6 ballë. Një situatë e ngjashme në Portin e Vlorës u regjistrua edhe dy javë më parë, kur për shkak të motit të keq u pezullua nisja e trageteve drejt Italisë. Aktualisht, në linjën detare me Brindisin, funksionojnë dy tragete.
Prokuroria e Tiranës, apel policisë për bashkëpunim
Tiranë - Prokuroria e Tiranës evidenton rritje të krimit kundër personit, pronës dhe vjedhjes gjatë 2008-s. Në analizën e saj, prokurori Genti Xholi ka hedhur akuza ndaj policisë për mosbashkëpunim, duke veçuar pushimin e disa çështjeve. “Gjatë këtij viti në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë regjistruar 6989 kallëzime penale, të cilat kanë ardhur në përqindje më të madhe nga policia e shtetit. Në krahasim me një vit më parë janë regjistruar 168 kallëzime më shumë. Nga shqyrtimi i tyre është vendosur për shqyrtim 469 raste dhe mos fillimi për 2061 raste ku aktualisht 259 kallëzime janë mbartur për vitin 2009. Në krahasim me vitin 2007 është rritur me 468 numri i atyre rasteve ku është vendosur mos fillimi i procedimit penal. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e vëmendjes më të madhe që është ushtruar për mos studim dhe verifikim të materialit kallëzues”, - u shpreh prokurori Xholi në fjalën e tij. Ndërkaq korrupsioni në administratë vazhdon të mbetet shqetësues duke parë numrin e lartë të çështjeve penale të regjistruara. Prokurori Xholi tha se “përsa u përket veprave penale për të cilat janë regjistruar procedimet, rezulton se vepra më e përhapur është ajo korruptive në detyrë. Ndaj 165 procedime të përfunduara 137 procedime i përkasin atyre korruptive në detyrë”. Në analizën 1-vjetore të Prokurorisë së Tiranës ishte e pranishme dhe prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.
21 Mars 2009