E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLL: Qeveria, investime në çdo zonë të vendit



Legalistët vënë në dukje faktin se ndryshe nga ish-pushtetarët e majtë, qeveria “Berisha” po investon në çdo zonë të Shqipërisë, pavarësisht nga përkatësitë politike. Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, gjatë një takimi të zhvilluar dje në Gramsh me strukturat drejtuese dhe këshilltarët e PLL-së së këtij rrethi, vuri në dukje investimet voluminoze të akorduara nga qeveria në të gjitha krahinat e vendit, pavarësisht nga preferencat partiake dhe mënyra se si ata kanë votuar në zgjedhjet e 2005-s. Spahia deklaroi: “Partia Socialiste i ka trajtuar në mënyrë të padrejtë zonat që ajo i ka konsideruar “bastione të saj”, duke i përdorur ato vetëm si kontingjente elektorale në kohë fushatash dhe duke mos treguar asnjë vëmendje ndaj tyre pas përfundimit të zgjedhjeve”. Në lidhje me këtë çështje Spahia solli në vëmendje politikën e suksesshme që po ndjek mazhoranca qeverisëse për zhvillimin e zonave rurale, duke përpiluar programe të veçanta zhvillimi dhe duke akorduar sasi të konsiderueshme fondesh për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, shkollave etj. “Lëvizja e Legalitetit” është e përkushtuar tërësisht dhe po punon çdo ditë për konkurrim dinjitoz në të gjitha qarqet e vendit, që do të sigurojë jo vetëm përfaqësimin e saj parlamentar, por edhe një kontribut të rëndësishëm në fitoren e koalicionit qeverisës”, - theksoi kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›