E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PR: Brenda tri javësh lista e kandidatëve



Brenda tri javësh Asambleja Kombëtare e PR-së nis punën për përgatitjen e listës së kandidatëve e që do të konkurrojnë për Parlamentin e ri më datën 28 qershor. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mblodhi dje anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e asambleve rajonale dhe kryetarët e degëve të rretheve të kësaj partie. Takimi i djeshëm mbylli procesin e propozimit të kandidaturave për deputet nga degët. Kryesia e Partisë Republikane do të analizojë dhe vlerësojë përfundimisht këto propozime për të marrë një vendim të plotë në Asamblenë Kombëtare, gjatë tri javëve të ardhshme. Kryetari Mediu bëri të ditur se “PR-ja do të jetë në koalicion me Partinë Demokratike, në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa marrëdhëniet konkrete elektorale, si dhe veprimi politik në këto zgjedhje mbeten për t'u përcaktuar së shpejti”. Kurse kryetari i Asamblesë Kombëtare të PR-së, z. Sabri Godo, përmendi rëndësinë e organizmit për të përballuar me sukses fushatën elektorale dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si dhe përcaktoi afate kohore lidhur me kandidaturat e për anëtarët e KZZ-ve, në respektim të afateve të Kodit Zgjedhor. Brenda muajit mars, degët e partisë do të sjellin kandidaturat për anëtarë të KZAZ-ve (Komisionet Administrative Zgjedhore).

Qeveria dhe KE-ja mbledhin në Tiranë donatorët e huaj

Qeveria e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit pranë Komisionit Evropian po organizojnë Konferencën e Koordinimit të Donatorëve për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, e cila do të mbahet në Tiranë më 2-3 prill 2009. Konferenca do të mbledhë edhe një herë së bashku përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, vende anëtare të BE-së, donatorë nga vendet jo anëtare dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia. Në Konferencën e Koordinimit të Donatorëve mbajtur në Bruksel në datat 23 dhe 24 tetor 2008 u vendos që takime monitoruese të mbahen në rajon në çdo gjashtë muaj dhe Shqipëria është vendi do të organizojë këtë takimin e parë. Konferenca do t’u japë pjesëmarrësve mundësinë për të ndarë praktikat më të mira në lidhje me koordinimin e ndihmës së huaj, progresin e bërë në rajon, vështirësitë e hasura dhe planet për të çuar më tej koordinimin e donatorëve. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian do të shohë mundësitë për racionalizimin e modaliteteve financiare të ndihmës së huaj. Koordinimi i donatorëve është çelësi për të përmirësuar efektivitetin dhe fleksibilitetin e ndihmës së huaj. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme sidomos për sfidat me të cilat mund të përballen këto vende si pasojë e krizës financiare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›