E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLL-Spahia: “Pronat, problemi duhet zgjidhur sa më shpejt”

Autori i Lajmit: red.
Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh kënaqësinë e saj që, pas nismës së NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve, dhe me frymën e takimit që ai organizoi ditën e premte me shoqatat e pronarëve të Shqipërisë, edhe Kryetari i Shtetit, Topi, risolli në vëmendjen e publikut problemin e pronave, i cili sipas PLL kërkon një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare. “Duke qenë plotësisht e ndërgjegjshme për ndryshimet e mëdha demografike që kanë ndodhur këto 18 vjet, por edhe e përgjegjshme për fatet e qytetarëve shqiptarë dhe interesat e vendit, PLL mendon se është i domosdoshëm një komunikim intensiv dhe i drejtpërdrejtë ndërmjet pronarëve dhe qeverisë shqiptare, për të gjetur zgjidhjen optimale për këtë problem delikat dhe të mprehtë. Partia Lëvizja e Legalitetit e shikon zgjidhjen e çështjes së pronave në Shqipëri jo vetëm në planin e vendosjes së legjitimitetit, por edhe si një impuls të rëndësishëm zhvillimi që do të gjenerojë investime të reja, qofshin këto të brendshme apo të huaja. Partia Lëvizja e Legalitetit rikonfirmon qëndrimin e saj se në respektim të shenjtërisë së pronës dhe titujve të pronësisë, pronarëve legjitimë duhet t u kthehet prona atje ku është e lirë, për të vazhduar me kompensimin e plotë dhe të shpejtë të tyre, për rastet kur kompensimi fizik është i pamundur. Si një parti që në programin e saj ndër pikat kryesore ka edhe zgjidhjen e problemit të pronës, PLL garanton gjithë pronarët shqiptarë që ashtu si në të kaluarën, aktualisht sot, por edhe në vazhdimësi, do të jetë përkrah tyre për t i dhënë zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare çështjes së pronës”,- përfundon kreu u legalistëve, Spahia.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›