E Shtunë, 31 Tetor 2026

POLITIKËS SHQIPTARE I MUNGON KOHEZIONI

Autori i Lajmit: Dr. MBA, Enriko Ceko
Politikës shqiptare i mungon kohezioni, që është një dukuri karakteristike në politikën moderne në vendet e zhvilluara dhe një nga elementet përcaktuese dhe të domosdoshme përgjegjës për të sjell ndryshimin. Mungesa e kohezionit në politikën shqiptare është shumë e dukshme nëse analizohen me kujdes rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Konkretisht, vihet re se pas dy forcave të mëdha politike në vend, në një distancë shumë të madhe nga ato, renditen tre forca politike me dy deri në pesë për qind të votave sejcila prej tyre. Midis programeve të këtyre tre forcave politike nuk ka dallime të mëdha. Pas këtyre tre partive vjen një grup tjetër prej rreth tetë forcash politike me 0.7 – 1 për qind të votave sejcila prej tyre dhe më pas një grumbull prej rreth dhjetë minipartish që arritën të shkëputin 0.2 – 0.4 për qind të votave sejcila prej tyre. Të tëra këto parti nuk kanë pothuajse fare specifika programore dhe individë të spikatur në jetën politike në vend. Në fund renditen disa parti që nuk arritën të marrin pothuajse asnjë votë. Nisur nga kjo situatë del se në vend kemi dy a tre grupime partish, që nëse e shtojnë masën e seriozitetit dhe të përkushtimit ndaj vendit dhe shqiptarëve dhe nëse përmirësojnë në mënyrë të dukshme programet e tyre dhe rritin shkallën e kohezionit e të bashkëpunimit, me përqindjen e përfaqësimit që arritën të marrin në zgjedhjet e fundit, mundet që në të ardhmen të jenë përcaktuese për qeverisjen. Rast tipik është edhe ai i LSI-së, e cila me rreth 5 për qind të votave të të tërë shqiptarëve u rreshtua fleksibilisht përkrah Partisë Demokratike dhe na dha ne shqiptarëve shansin që së shpejti të kemi një qeveri. Përveç LSI-së, midis partive të tjera të vogla që kanë shanse të përcaktojnë qeverisjet e ardhëshme mund të veçohen Partia Republikane dhe PSD-ja, që kanë marrë sejcila rreth 2 për qind të votave, por që në parlament vetëm republikanët do të mund të përfaqësohen me një deputet.
Renditja e partive të vogla
Në renditjen politike në Shqipëri, në grupimin e partive që luhaten rreth shifrave 0.7 – 1 për qind të votave janë Partia Agrare, Legaliteti, PDI-ja, LZHK-ja, Demokristianët, PDS, G – 99 dhe PBDNJ, nga të cilat vetëm PDI-ja arriti të marrë një deputet. Përveç surprizës PDI, disa parti të këtij grupi kanë një farë përvoje të mëparshme parlamentare dhe politike falë përdorimit me mjaft efikasitet të gjetheve të “Dushkut”. Mjaft interesante paraqitet situata në grupin e partive të vogla, që kanë arritur të fitojnë sejcila prej tyre në masën 0.2 – 0.4 për qind. Është pikërisht ky segment politik në vend që në total ka marrë rreth 4 për qind të votave të shqiptarëve. Në këtë grup partish bie në sy fakti se shumica e tyre, edhe pse kanë marrë 0.2 – 0.4 për qind të votave, i kanë marrë ato në një a dy rajone të caktuara, atje ku kanë edhe zonat e tyre të influencës, ndërsa në disa zona të tjera janë katandisur me një numër votash që nuk është vështirë të numërohen edhe me gishtat e duarve. Por, midis këtyre partive spikat Partia Demokracia e Re Evropiane e Shqipërisë (ish – Partia Lidhja Fshatare e Shqipërisë, që e ka ndërruar emrin pas zgjedhjeve të vitit 1997), e cila edhe pse ka marrë 0.2 – 0.3 për qind të votave, ka një shpërndarje mjaft interesante gjeografike të tyre, aq sa është e vështirë që të bësh dallimin se cila zonë apo cilat zona janë në infuencën e frymës së kësaj force politike. Kjo parti e vogël ka arritur të marrë numër pothuajse të njëjtë votash në të tëra rrethet e vendit. Ky tipar e bën këtë parti të ngjashme me forcat e mëdha politike në vend. Ky është një element tipik kohezioni, element që i mungon pjesës më të madhe të partive të vogla. Dukurisë së pasjes së dy a tre zonave të influencës nuk i kanë shpëtuar edhe parti të tilla si Aleanca Demokratike që ka marrë më shumë vota në Fier, Elbasan dhe Tiranë, Partia Agrare që ka marrë më shumë vota në Lezhë dhe Shkodër, Balli Kombëtar në Shkodër, Tiranë, Fier e Vlorë dhe Balli Kombëtar Demokrat në Tiranë e Shkodër. Legaliteti ka marrë më shumë vota në Lezhë, Dibër, Fier e Tiranë. PDI-ja vetëm në Fier. Republikanët në Tiranë, Fier dhe Elbasan. LZHK-ja në Tiranë, Vlorë dhe Fier. Demokristianët në Shkodër, Lezhë, Dibër e Tiranë. LSI-ja në Dibër, Berat, Fier, Elbasan dhe Durrës. PBDNJ-ja në Vlorë e Korçë. Socialdemokratët në Kukës, Shkodër dhe Tiranë. G – 99 në Tiranë, Fier, Berat dhe Elbasan. PDS-ja në Shkodër e Vlorë.
Ja nga erdhën deformimet në zgjedhje
Pavarësisht se procesi pati deformime dhe ndikime për shkak të gjeografisë së zgjedhjeve dhe formulës së tyre, këto deformime ishin të pranuara paraprakisht nga forcat politike në garë, kështu që tashmë nuk ka asnjë dyshim se ankesat për deformimin e zgjedhjeve janë veçse një debat i pa vlerë, megjithatë ia vlen të përmendet se nëse formula zgjedhore do ishte proporcional i pastër dhe Lezha si gjeografi zgjedhjesh të mos hynte si pykë midis Kukësit dhe Dibrës, Lëvizja Socialiste për Integrim mund të kishte marrë edhe dy deri në katër mandate të tjera. Zgjerimi i rajonit të Korçës dhe Gjirokastrës, duke eliminuar zonën Përmet – Leskovik, ka ndikuar në një masë shumë të madhe në raportet e votave midis dy forcave politike kryesore në Shqipëri, në dëm të së majtës. Edhe lëvizjet e kufijve të zonave gjeografike midis Tiranës, Durrësit, Lezhës dhe Dibrës dhe formula e proporcionalit rajonal ndikuan në në një masë të konsiderueshme edhe në rezultatet e disa forcave politike që nuk patën shansin të nxirrnin qoftë edhe një deputet të vetëm, edhe pse kanë rreth 18 vite në politikën shqiptare. Gjithashtu, edhe zgjatja e Vlorës deri në Sarandë ka ndikuar në një masë shumë të madhe në rezultatet e dy partive të vogla që kanë influencë fluide në jug të vendit. Vihet re dukshëm se LSI-ja, me 5 për qind të votave, ka marrë katër deputetë, ndërsa republikanët me 2 për qind kanë marrë vetëm një deputet, ndërsa socialdemokratët edhe pse me numër votash diçka më pak se republikanët, nuk kanë arritur të marrin asnjë deputet. Ky është një shembull “deformimi”, i rezultatit të zgjedhjeve, pasi në rast të një përpjestimi të thjeshtë matematikor, raporti midis këtyre tre partive dhe përfaqësimi i tyre në parlament do ishte ndryshe. Një ndikim të dukshëm në “deformimin” e zgjedhjeve solli edhe dukuria e koalicioneve. Koalicionet u formuan me nxitim, pa piketuar me specifika mënyrën, llojin dhe masën e kontributit të sejcilës forcë politike në aleancë dhe pa përcaktuar në mënyrë specifike përfitimet e sejcilës palë. Këto lloj aleancash nuk janë gjë tjetër veçse amalgama jetëshkurtëra, pa përfitime të ndjeshme nga palët në minorancë në koalicion dhe janë maska e mungesës së kohezionit dhe e frymës së bashkëpunimit, që duhet të karakterizojë politikën në një vend që pretendon të shkojë drejt zhvillimit. Kuptohet se këtu bëhet fjalë për parti që edhe pse të vogla duhet të jenë serioze dhe jo të luftojnë që të jenë në koalicione vetëm për ndonjë karrige drejtori në ndonjë ministri ku ka tendera me shumicë. Situata në vend padyshim që tregon dukshëm se shumica e forcave politike të vogla shqiptare nuk janë përfaqësuese të vërteta të pikëpamjeve të qytetarëve, por janë thjesht burime dhe mënyra për të futur nëpër punëra me përfitime nga më të ndryshmet të njerëzve që rrinë afër drejtuesve të këtyre partive dhe kjo është një kosto shumë e madhe për qytetarinë.
Qytetaria e zgjedhjeve dhe kohezioni
Është e dukshme se shqiptarët këtë radhë, ashtu si edhe herë të tjera në procese të ndryshme zgjedhore, padyshim që me dinjitetin e tyre karakteristik, treguan qytetarinë evropiane, nevojën që ata kanë për qetësi publike dhe dëshirën që ata kanë për sa më shumë normalitet dhe për një jetë sa më të mirë. Ata, edhe pse me mendime të ndryshme, shkuan në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 me pikëpamjen se nga këto zgjedhje mund dhe duhet të fitojë Shqipëria dhe qytetarët e saj, që duhet të kenë një përfaqësim më të drejtë dhe më serioz në parlament. Nga ana e përfaqësimit është interesant fakti se rigrupimi dhe ndarja e partive politike në bazë të votës së marrë, mund të shërbejë për të hedhur hapa seriozë kohezioni dhe për konfigurime të reja politike, kjo e ndihmuar edhe nga mungesa e programeve të qarta politike të këtyre partive. Riorganizimi, rigrupimi, ribashkimet, fuzioni, rigjetja e piketave, rishikimi i programeve politike, përcaktimi i objektivave specifike dhe të arritshme, përmirësimi i mënyrës së komunikimit me qytetarët duhet të jenë objektivat e partive të vogla për të ardhmen, përndryshe, askush prej tyre nuk do të ketë ndoshta rastin që individualisht të gjejë vendet e deputetëve në parlamentet e ardhëshme. Nëse këto parti të vogla i nënshtrohen kohezionit, atëhere edhe përfaqësimi në parlament do jetë më i drejtë. Dukuria e kohezionit duhet të jetë predominante në jetën politikë ne Shqipëri në muajt e ardhshëm, sepse është evidente që politika shqiptare e ka të nevojshme një rigrupim e shoshitje për të shtresëzuar më mirë dhe në mënyrë e formë më të përshtatshme grupimet politike në vend. Pa një dukuri kohezioni dhe shoshitjeje në politikën shqiptare, për të balancuar shtresëzimin e qytetarëve me diferencimin e pikëpamjeve politike, ekonomike dhe sociale në vend, do jetë e vështirë, shumë e vështirë, pothuajse e pamundur që dinjiteti i qytetarisë shqiptare të arrijë të mposhtë familjaritetin, frymën klanore, arrogancën e pushtetit dhe mendjemadhësinë e opozitës.

Ky lajm është publikuar: 13/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›