E Shtunë, 31 Tetor 2026

POlitika ne fushate

20/04/2009  Kryeministri Sali Berisha takime të rëndësishme në Kinë

Biznesi kinez ka të gjitha lehtësitë për të investuar

Shefi i ekzekutivit uron nga larg festën e Pashkëve

Gjatë vizitës së tij në Kinë Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Shenzhenit, një ndër më të mëdhenjtë në vendin aziatik, ku u takua me kreun e bashkisë Xu Zongheng. Duke i vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve si shumë miqësore, Zongheng tha se Shqipëria ka dhënë një kontribut të çmuar që Kina të marrë përfaqësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nga ana e tij shefi i ekzekutivit shqiptar, duke iu referuar pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të BOAO-s, theksoi se pati kënaqësinë të konstatojë përpjekje serioze nga kryeministri Jia Bao dhe pjesëtarët e tjerë të forumit për t’u dhënë një përgjigje problemeve ekonomike dhe financiare botërore. Po ashtu kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar një vizitë në “Huawey Technologies”, një nga tri kompanitë ndërkombëtare më të mëdha të teknologjisë në botë. Presidenti i “Huaway International” Ly Ke u shpreh se Shqipëria zë një vend shumë të rëndësishëm në strategjinë e zgjerimit të kompanisë në Europë. Kryeministri Berisha ftoi të asistojë në nënshkrimin e marrëveshjes së zgjerimit të aktivitetit ekonomik dhe shërbimeve të telekomunikacionit me kompaninë “Eagle Mobile”. Kryeministri Berisha i bëri me dije se “Huaway Albania” mund të shfrytëzojë të gjitha lehtësitë e krijuara për biznesin nga qeveria, si për shembull, iniciativën “Shqipëria 1 euro”.

Ndërkohë, edhe pse larg vendit, kreu i qeverisë u ka dërguar një mesazh urimi të gjithë besimtarëve ortodoks me rastin e festës së Pashkëve. “Gëzuar Pashkët, ditën e bekuar të ringjalljes së Krishtit, ditën e përjetësisë, ditën e shpresës dhe të besimit te Zoti, besimit te vetvetja dhe te njëri-tjetri, ditën e besimit te vendi ynë!” - thuhet në mesazhin e Kryeministrit Berisha. Në këtë mesazh ai shprehet se Shqipëria feston këtë festë si një komb dhe një vend anëtar i NATO-s. “Le të urojmë së bashku që Pashkët e ardhshme t”i kremtojmë më mirë, në harmoni me njëri-tjetrin dhe në prosperitetin që shqiptarët meritojnë”, - shprehet Kryeministri Berisha.

Partia Republikane

Sabri Godo: Zgjedhjet shumë të rëndësishme

Presidenti i nderit i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane Sabri Godo ka deklaruar ditën e djeshme se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë të një rëndësie shumë të veçantë. Sipas tij, vendi tashmë është pjesë e NATO-s, se për pasojë duhet të garantohen zgjedhjet lira dhe demokratike. Godo ka pohuar se gjatë viteve të pluralizmit në Shqipëri asnjëherë nuk janë zhvilluar zgjedhje të lira dhe të drejta. Por ia tha se këto zgjedhje do të plotësojnë standardet e kërkuara. “Qeveria ka marrë masa që para 15 qershorit të kenë kartat dhe çdo gjë nevojitet për të plotësuar kushtet për zgjedhje të lira, por opozita po e pengon në këtë proces. Opozita duhet të ngrejë çështje që janë për t’u ngritur dhe të japë ndihmën e saj, sepse ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë”, - ka deklaruar Godo. Ai ka vlerësuar maksimalisht angazhimin e qeverisë në katër vjetët e drejtimit të vendit.

“Lëvizja e Legalitetit”

Spahia: Opozita alibi për humbjen e zgjedhjeve

Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka akuzuar partitë e opozitës, veçanëriusht Partinë Socialiste, se në mënyrë spekulative po njollos procesin e përgatitjes për zgjedhjet e 28 qershorit, pasi e cilëson pajisjen e qytetarëve me karta identiteti si “taksë të votës”. Kreu i PLL-së Ekrem Spahia ka deklaruar gjatë një konference për shtyp se të majtët mund të bëhen avokatë të gjithkujt, por kurrsesi të votës së lirë, të cilën e mohuan për 45 vjet me radhë. “Opozita po përpiqet në mënyrë spekulative ta paraqesë procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti si një taksë ndaj votës, pikërisht për të njollosur në mënyrë të turpshme zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit, duke harruar se ishte pikërisht kjo maxhorancë e djathtë që në vitin 1991 u riktheu shqiptarëve votën e lirë”, - ka thënë ai. Për kreun e PLL-së e ashtuquajtura nga opozita “taksë e votës” është alibia e vetme që partitëe majta u ofrojnë shqiptarëve.

Partia Demokristiane

Ndoka: PD-PS pengojnë ndryshimet në politikë

Kryetari i Partisë Demokraitiane Nard Ndoka është shprehur me tone kritike ndaj dy partive më të mëdha në vend, Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Për kreun e PDK-së “dy partitë e vjetra nëpërmjet manipulimeve ligjore dhe krijimit të karteleve elektorale synojnë të pengojnë çdo ndryshim thelbësor në politikën shqiptare, kërkojnë të ruajnë monopolin politik dhe sundimin si alternativë qeverisjeje”. Duke iu drejtuar deputetëve italianë, përfaqësues të UDC-së, Ndoka u shpreh se grupimi politik që drejton është një bashkim i faktorit progresiv të politikës, që kërkon të ndryshojë Shqipërinë dhe realitetin e saj politik, të mbajtur peng nga dy forcat e vjetra politike, PD dhe PS. Ndoka tha se PDK-ja dhe aleatët e saj në “Polin e Lirisë” do të jenë fituese në këto zgjedhje dhe se bashkëpunimi dhe miqësia midis partive do të jetë afatgjatë në të mirë të qytetarëve dhe të dy vendeve fqinje dhe mike.

Balli Kombëtar Demokrat

Roshi: Opozita po sillet në mënyrë ekstreme

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi ka dënuar braktisjen e sallës së Parlamentit ditën e djeshme nga deputetët e opozitës. “Lëvizjet ekstreme të opozitës pas festimeve që ajo vetë bëri për anëtarësimin në NATO, e bëjnë Shqipërinë të duket si një fshat që u kthehet me egërsi sherreve të vjetra një natë pas dasmës. Opozita ka përgjegjësinë e saj të tregojë se Shqipëria ka përmbushur çdo standard për të qenë anëtare të klubit të demokracive perëndimore, përfshi edhe emancipimin e opozitës”, - ka theksuar numri një i PBKD-së. Për Roshin vendi gjendet në prag zgjedhjesh dhe çdo tentativë për të tensionuar atmosferën drejt tyre dëmton të gjitha palët. Sipas tij, të gjitha partitë politike dhe elektorati i tyre janë pjesë e Shqipërisë, e cila më 28 qershor do të vihet përpara një prove të madhe: zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Nuk është produktiv paragjykimi i gjithçkaje. Nuk mund të vëmë kujën se njerëzit nuk po pajisen me karta identiteti, ndërkohë që procesi vazhdon normalisht dhe ende ka kohë për ta realizuar me sukses procesin”, - tha Roshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›