E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kartë sociale për çdo kategori

20/04/2009  Lidershipi socialist takim me personat me aftësi të kufizuar Shpalos programin e PS-së

“Socialistët me këtë instrument janë të gatshëm të nisin zbatimin e tij të nesërmen e fitores”

Lidershipi i Partisë Socialiste vijon shpalosjen e programit të tij qeverisës. I konceptuar për zhvillimin e takimeve me kategori të ndryshme të shoqërisë, turi i ndërmarrë nga lidershipi socialist zbardh detaje të përgjithshme mbi kapituj që përfshijnë shtesa të ndryshme të shoqërisë. Në këtë funksion, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u takua me persona me aftësi të kufizuara në periferi të kryeqytetit për të vazhduar prezantimin e programit të ri qeverisës të partisë që ai drejton. Gjatë këtij takimi kreu socialist bëri me dije lidhur me atë çfarë parashikon programi i PS-së në kapitullin që i përket kësaj kategorie. Sipas tij, do të rishikohet sistemi i vlerësimit të paaftësisë, duke kaluar nga një vlerësim thjesht mjekësor në vlerësim mjekësor dhe social. Madje, socialistët gjykojnë se individët që u shërbejnë personave me aftësi të kufizuara vitet që kalojnë pranë tyre do t’u llogariten si vite pune për efekt pensioni. Njëkohësisht, duke vijuar në prezantimin e këtij kapitulli të programit për këtë kategori shoqërore, Rama është ndalur edhe te karburanti që u duhet atyre për lëvizje. “Ne do ta rritim shumën e rimbursimit të karburantit për ju dhe ata që si ju kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë, duke siguruar që, pavarësisht ndryshimit të çmimit të karburantit, çdo person me aftësi të kufizuar të mund të blejë të njëjtën sasi karburanti që i nevojitet. Periudha në shërbim të personave me aftësi të kufizuara do të njihet si vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë”, - deklaroi Rama gjatë fjalës së tij në këtë takim. Por kreu socialist zbardhi edhe një tjetër element të programit qeverisës, ku për të gjithë shqiptarët do të krijohet karta sociale, përmes së cilës synohet zhvillimi i një revolucion në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit. “Duam që të krijojmë për çdo shqiptar e shqiptare kartën sociale, e cila është një kartë që në bazë të profilit individuale dhe gjendjes shoqërore e ekonomike t’i japë mundësi çdo qytetari e qytetareje të përfitojë në mënyrë të thjeshtë dhe tërësisht transparente shërbime e kujdes social e shëndetësor, arsimor apo kulturor. Kjo sigurisht nënkupton një revolucion në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit dhe për këtë revolucion në radhë të parë që Shqipëria ka nevojë”, - u shpreh Rama. Sipas tij, ky program është një instrument qeverisës dhe jo një mal me premtime të pambajtshme. “Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi në këtë garë për të konkurruar me tregtarët profesionist të gënjeshtrave dhe për të ngritur lart e më lart zërin në pazarin e vjetër politik të këtyre 18 vjetëve, ku janë tregtuar gënjeshtra pa fund, ku janë tregtuar premtime pa fund, ku janë krijuar iluzione pa fund, të cilat kanë pasur më pas si rezultat zhgënjimin e pafundmë të qytetarëve e qytetareve të këtij vendi”, - nënvizoi kreu i PS-së. Duke u përqendruar në atë çfarë përmban në tërësi i gjithë programi qeverisjes socialiste, Rama garantoi se “socialistët me këtë instrument në duart e tyre janë të gatshëm të nisin zbatimin e tij të nesërmen e fitores”.

Premtimi

“Duam që të krijojmë për çdo shqiptar e shqiptare kartën sociale, e cila është një kartë që në bazë të profilit individuale dhe gjendjes shoqërore e ekonomike t’i japë mundësi çdo qytetari e qytetareje të përfitojë në mënyrë të thjeshtë dhe tërësisht transparente të gjitha shërbimet”, - deklaroi Rama.

Programi

Sipas drejtuesve të Partisë Socialiste, programi i ri qeverisës i kësaj partie është fryt i bisedave, diskutimeve, analizave e debateve me bashkëqytetarët e me ekspertët shqiptarë e të huaj gjatë 18 muajve të “Dialogut me Shqipërinë”. Është i zbërthyer sipas fushave, është rreth 1000 faqe dhe i fokusuar në 7 drejtimet themelore.

Turi

Pak ditë më parë kreu socialist Edi Rama nisi një tjetër tur, që do të shtrihet në të gjithë territorin, me qëllim prezantimin e programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste. Në këto takime lidershipi i kësaj partie ndër të tjera është përqendruar te shpalosja e një sinteze të përgjithshme mbi programin.

Meta takime elektorale

Premton masterplan urbanistik e integrues për Kamzën

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi një takim më banorët e Kamzës. Gjatë fjalës së tij kreu i kësaj partie u ndal pikërisht në atë çfarë realisht ka nevojë në mënyrë urgjente ky komunitet. Sipas tij, banorët e kësaj zone janë mjaft të zhgënjyer nga gënjeshtrat dhe nga premtimet boshe dhe e ka të domosdoshme realizimin konkret, praktik dhe të prekshëm të integrimit, pikërisht këtu pranë metropolit kryesor. “Është e domosdoshme që Kamza dhe Bathorja t’i nënshtrohen urgjent një procesi dhe një masterplani urbanistik dhe integrimi, sepse është e nevojshme që këtij masterplani t’i paraprihet me përfundimin e shpejtë dhe pa dallime politike të procesit të legalizimit, në mënyrë që të gjithë të gëzojnë shtëpitë e tyre, që i kanë ndërtuar me mund dhe sakrifica”, - vuri në dukje Meta lidhur me këtë çështje. Madje, Meta u shpreh i bindur se ky komunitet do të votëbesojë alternativën e LSI-së, pasi sipas tij, kjo parti është larg lojërave politike dhe demagogjisë që ka zhgënjyer banorët për vite e vite me radhë. Gjithashtu Meta nuk vonoi të shpaloste dhe detaje të programit elektoral të kësaj partie. “Ne kemi programin e ‘Punësimit jetik’, që përmes programeve të nxitjes së investimeve publike pranë komunitetit do t’i ofrojë mundësi çdo anëtari të një familje që nuk ka të punësuar diku të ketë mundësinë të kontribuojë për familjen e tyre për të dalë nga varfëria”, - deklaroi Meta. Sipas tij, për çdo vend të ri pune që do të krijohet do të stimulohet në mënyrë konkrete biznesi, duke e lehtësuar nga taksat dhe tatimet. Për këtë arsye kreu i LSI-së shtoi se “për çdo vend të ri pune ne do të shprehim mirënjohjen tonë biznesit vendas apo të huaj jo me fjalë, por me politika konkrete, tatimore dhe fiskale, pra për çdo biznes të ri që do punësojë më shumë se 5 veta ne do të heqim tatim-fitimin për disa vjet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›